Showbiz

Këngëtarja Chilli në lidhje dashurie me aktorin Matthew Lawrence

Anëtarja e grupit të famshëm amerikan “TLC”, Chilli, është në lidhje dashurie me aktorin dhjetë vjet më të ri në moshë, Matthew Lawrence.

51-vjeçarja, emri i vërtetë i së cilës është Rozonda Thomas, e ka filluar një romancë me yllin e filmit “Brotherly Love” në muajin nëntor, kjo pasi u fotografua me Lawrencen në një plazh të Hawaiit gjatë muajve të ngrohtë të verës.

Sipas Christal Jordanit, zëdhënëse e yllit të hitit “Waterfalls”, Chilli dhe Matthew e kanë kaluar Ditën e Falënderimeve dhe Krishtlindjen së bashku në Atlanta, ku aktori 42-vjeçar pati mundësinë edhe ta takojë familjen e të dashurës së tij të re.

“Unë punoj për Chillin nga viti 2005 dhe asnjëherë nuk e kam parë kaq të dashuruar. Ajo po shkëlqen nga lumturia. Ata janë vërtetë të lezetshëm së bashku”, deklaroi Jordan.

Çifti i ri e bëri publike lidhjen natën e Vitit të Ri, duke e ndarë një video në rrjetin social Instagram ku ata shihen duke vallëzuar së bashku, të veshur me pizhame të njëjta me motive të festave të fundvitit.

Chilli në të kaluarën ka qenë në lidhje dashurie me këngëtarin Usher, si dhe e ka një djalë 25-vjeçar të quajtur Tron, nga lidhja e kaluar me producentin muzikor, Dallas Austin.

Kurse, Mattheë Lawrence, ka vetëm tre muaj që e ka finalizuar shkurorëzimin nga ish-bashkëshortja, Cheryl Burke. Aktori dhe valltarja profesionale e emisionit “Dancing With the Stars” u ndanë në shkurt të vitit 2021, pothuajse tri vjet pasi e kurorëzuan lidhjen me martesë.