Aktorja, Keke Palmer, për herë të parë ishte prezantuese e emisionit humoristik, “Saturday Night Live”, me ç’rast nuk iu desh shumë që ta bënte këtë një eksperiencë të paharruar për të dhe publikun.
Në emisionin e transmetuar të shtunën (3 dhjetor), aktorja i konfirmoi thashethemet që po qarkullonin në mesi dhe e zbuloi lajmin se është shtatzënë me fëmijën e parë.
“Njerëzit më kanë shkruar komente vazhdimisht në rrjetet sociale ku thoshin, ‘Keke po bëhet me fëmijë apo Keke është shtatzënë’. Prandaj dua që në këto momente t’i sqaroj këto thashetheme. Është e vërtetë, unë jam në pritje të fëmijës”, tha Palmer teksa e zbuloi barkun e fryrë para publikut të pranishëm në sallë.
Tutje, 29-vjeçarja bëri shaka duke thënë se e urren kur njerëzit shpërndajnë thashetheme për dikë, por është edhe më keq kur në fakt ato janë të vërteta.
“Po provoja shumë që ta mbaja lajmin të fshehtë dhe larg vëmendjes së publikut e mediave, sepse kisha shumë projekte që do të ndodhnin së shpejti dhe nuk doja t’i humbja ato marrëveshje. Është shumë keq kur të tjerët spekulojnë për ty, por edhe më keq kur ato që i thonë janë plotësisht të vërtetë”, tha aktorja duke bërë shaka.
Palmer, fjalimin në “SNL” e përmbylli duke thënë se ky fëmijë është një bekim për të, se po ndihet jashtëzakonisht e lumtur dhe mezi pret që të bëhet nënë.