Aktorja e njohur britanike, Kate Winslet, është dërguar urgjentisht në spital pasi pësoi lëndim në këmbë.
46-vjeçarja, Winslet, aktualisht është duke xhiruar në fshatin e Kroacisë, Kupari. Ajo u detyrua të kërkojë kujdes mjekësor pasi rrëshqiti në sheshin e xhirimeve të filmit të ri biografik, “Lee”, bëjnë të ditur mediat kroate.
Ylli i filmit “Titanic”, e cila në këtë projekt e portretizon fotografen e revistës “Vogue”, Elizabeth “Lee” Miller, thuhet se është dërguar me urgjencë në spitalin e Dubrovnikut ku është pritur nga disa mjekë.
Nuk dihen shumë hollësi rreth lëndimit të aktores, por besohet se gjatë javës së ardhshme ajo do t’i kthehet xhirimeve sipas planit fillestar. Shkuarja e saj në spital është përshkruar nga zëdhënësit e Winsletit, si “masë parandaluese”.
Në filmin e ardhshëm të kanalit HBO, “Lee”, Kate luan krahas aktorëve tjerë të njohur të Hollywoodit, si Jude Law, Josh O’Connor, Marion Cotillard dhe Andy Samberg.
Ndërkohë, së fundmi aktorja e famshme i përfundoi xhirimet e filmit të dytë, “Avatar”. Në një intervistë të kaluar tregoi se gjatë një skene që kërkonte që ajo të qëndronte nën ujë për shtatë minuta, ajo fillimisht ishte ndier mrekullueshëm por më pas e gjeti veten duke pyetur dyshuar nëse kishte vdekur.
“Avatar 2” do të fokusohet në personazhet, Jake Sully, Neytiri dhe fëmijët e tyre, si dhe zë vend 12 vjet pas ngjarjes së filmit të parë të lansuar në vitin 2009. Duke qenë të gatshëm ta marrin çdo masë të nevojshme për ta mbrojtur njëri-tjetrin, ata duhet të luftojnë për të qëndruar gjallë dhe për ta përballuar tragjedinë, në një luftë për një të ardhme më të mirë.
“Avatar: The Way of Water” fillon së shfaquri nëpër kinematë botërore më 16 dhjetor të këtij viti.