Ezra Miller kërkon falje për sjelljet e fundit, fajëson shëndetin mendor
Aktori Ezra Miller e ka lëshuar një deklaratë për media përmes së cilës tregoi se vuan nga disa probleme komplekse mendore, dhe se është duke e tejkaluar një krizë të madhe në jetën e tij.
“Duke qenë se kam kaluar nëpër disa kriza të mëdha, tani e kuptoj se vuaj nga probleme komplekse mendore për të cilat kam filluar të trajtohem,” tha aktori në deklaratën e publikuar nga “Variety”.
Miller po ashtu i ka kërkuar falje të gjithë atyre që janë brengosur për shëndetin e tij, dhe ata që i ka shqetësuar me sjelljet e kohëve të fundit, duke deklaruar tutje se është i përkushtuar ta bëjë punën e nevojshme për ta përmirësuar shëndetin mendor, për të qenë i sigurt dhe sa më produktiv në jetë.
Në fillim të muajit gusht, aktori u akuzua për vjedhje të rëndë në Vermont. Kjo akuzë iu shtua dosjes së mbushur me probleme ligjore të Millerit dhe raporteve për sjellje të çrregullt. Aktori 29-vjeçar u arrestua dy herë në fillim të këtij viti në Hawaii, për sjellje të çrregullt dhe ngacmim në një bar. Incidenti i dytë ishte për sulm të shkallës së dytë.
Pasi mori pjesë në disa filma të studiove “Warner Bros” dhe “D.C. Films”, në rolin e superheroit Flash, Ezra më në fund vjen me filmin e tij të bazuar në këtë personazh, “The Flash”, i cili planifikohet të lansohet nëpër kinema në qershor të vitit 2023.
Edhe pse javën e kaluar “Warner Bros” e anuloi filmin pothuajse të finalizuar, “Batgirl”, studioja e famshme filmike ka bërë të ditur se vazhdon të jetë e përkushtuar në publikimin e projektit të ri, “The Flash”.