Mënyra e dorëzimit të faturave të energjisë elektrike ka ngritur shqetësime te konsumatorët, për shkak të ekspozimit të të dhënave personale. Agjencia për Informim dhe Privatësi vlerëson se lënia e faturave në vende të përbashkëta mund të përbëjë shkelje të rregullave për mbrojtjen e të dhënave derisa kërkon që ato të dorëzohen në mënyrë të sigurt. Ndërkohë, Zyra e Rregullatorit për Energji thekson se, sipas rregullave, faturat duhet të dorëzohen në adresën e konsumatorit
Lënia e faturave në vende të përbashkëta ku fqinji apo kushdo qoftë mund të shohë të dhëna personale si dhe mund të lexojë gjendjen e obligimeve ndaj KEDS-it, po konsiderohet ekspozim i të dhënave personale.
Në disa grupe në rrjete sociale, disa konsumatorë e kanë shprehur një shqetësim të tillë.
Agjencia për Informim dhe Privatësi në një përgjigje për KOHËN ka thënë se kjo bie në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, për shkak se faturat e rrymës përmbajnë të dhëna personale dhe të dhëna mbi konsumimin.
“Lënia e faturave në vende ku ato mund të shihen, merren apo të jenë të qasshme nga persona të paautorizuar nuk garanton mbrojtjen e duhur të të dhënave personale. Praktika e dorëzimit të faturave në hapësira të përbashkëta pa masa mbrojtëse është në kundërshtim me ligjin. Operatori duhet të zgjedhë mënyrën e dorëzimit që shmang ekspozimin e panevojshëm të të dhënave të konsumatorëve. Operatori duhet të ndërmarrë masa të përshtatshme organizative dhe teknike për të ruajtur konfidencialitetin dhe sigurinë e të dhënave personale gjatë gjithë procesit të përpunimit, përfshirë edhe dorëzimin e faturave”, thuhet në përgjigjen e AIP-së.
Evitimi i ekspozimit të të dhënave personale ndaj personave që nuk janë të autorizuar, sipas AIP, bëhet duke futur faturat në zarf të mbyllur ose përmes formave të tjera të sigurta.
Edhe
INDEP i kërkon ZRRE-së të sigurojë mbrojtje të konsumatorëve në procesin tarifor
AIP ka treguar se në rastet kur konstatohet se përpunimi i të dhënave personale nuk është në përputhje me ligjin, ka kompetencë të urdhërojë ndërprerjen ose ndryshimin e kësaj praktike, por edhe mund të shqiptojë gjoba kundërvajtëse.
AIP ka treguar se ka trajtuar ankesa të llojit të tillë dhe ka shqiptuar gjoba ndaj operatorit. Por, nuk janë përgjigjur në pyetjet se cilët janë hapat që ndërmerren në rast se prapë zhvillohet një praktikë e tillë.
Ndërsa, nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike kanë thënë se me rregullore, faturat e energjisë elektrike duhet të dorëzohen në adresën e konsumatorit.
“Lidhur me çështjen e ngritur nga ana juaj, ju njoftojmë se, sipas nenit 28, par. 4, te Rregullës për Kushtet e Përgjithshme te Furnizimit me Energji, është e përcaktuar si ne vijim: “Faturat duhet të dërgohen në adresën e konsumatorit që është specifikuar në kontratën për furnizim. Nëse nuk është specifikuar adresa ose është specifikuar në mënyrë të pasaktë ose jo të plotë, ose nëse konsumatori nuk gjendet më në adresën e specifikuar, furnizuesi do ta bëjë dërgesën në vendndodhjen fizike ku ka ndodhur shfrytëzimi i energjisë”, ka sqaruar ZRRE-ja.
Edhe
Partive politike u kërkohet mbrojtja e të dhënave personale të qytetarëve gjatë fushatës
Sipas tyre, ankesat e tilla sa i përket cenimit të të dhënave personale nuk bien nën mandatin e tyre.
KOHA ka dërguar pyetje edhe në KESCO si operator që bën shpërndarjen e faturave të energjisë elektrike, por deri tani nuk ka marrë përgjigje.