Zyrtarët që fshehin informatat nga publiku, edhe kur nëpërmjet tyre mund të zbulohen abuzime, amnistohen nga Agjencia për Informim dhe Privatësi. Kjo agjenci gjobit vetëm institucionet. Për pasojë, për fshehje të informatave, kostoja paguhet nga buxheti i shtetit e jo nga xhepi i zyrtarit përgjegjës.
Asnjë zyrtar publik nuk është gjobitur nga Agjencia për Informim dhe Privatësi në rastet kur palëve ua kanë mohuar qasjen në informacione apo dokumente publike.
Ndonëse Ligji për Qasje në Dokumente Publike parasheh gjobitjen si të institucionit ashtu edhe të zyrtarëve përgjegjës, në AIP kanë thënë se i gjobisin vetëm institucionet.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Kjo praktikë e ligjshme (duke ia adresuar gjobën institucionit, jo zyrtarit përgjegjës, respektivisht zyrtarit kryesor administrativ) është instaluar me qëllim të ngritjes së ndërgjegjes në nivel të institucionit ndaj të cilit shqiptohet kjo masë, pra për të i dhënë arsye edhe titullarit që të mos lejojë përsëritjen e marrjes së gjobës, e cila ndikon në imazhin e institucionit që drejton. Përndryshe, shqiptimi i gjobës drejtpërdrejt ndaj ZKA-së së një institucioni është barasvlershëm i ligjshëm me praktikën e ndjekur aktualisht nga AIP-i. Agjencia për Informim dhe Privatësi, të gjitha gjobat e shqiptuara deri tani në fushën e lirisë së informimit, ia ka adresuar institucionit publik”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.
Sipas Agjencisë, me nga 3 mijë euro janë gjobitur Komuna e Prishtinës, Ministria e Infrastrukturës, SHSKUK-ja dhe Universiteti i Prishtinës.
Në shoqërinë civile kanë theksuar se vetëm masa e gjobës ndaj zyrtarëve përgjegjës që mohojnë qasjen në dokumente, do ta arrinte qëllimin për transparencë të plotë.
“Në secilin rast do të duhej me u gjobitë edhe personi përgjegjës sepse është në vullnetin e tij, në secilin rast është në vullnetin, në interpretimin subjektiv të personit përgjegjës që pastaj ai është i veshur me autorizimi publike që e përfaqëson institucionin dhe që në fund barra i bije vetë institucionit, pra do të duhej që përgjegjës të bëhej për masa financiare edhe personi përgjegjës në mënyrë që ta dijë edhe ai peshën e vendimit të tij, të cilin e jep pra për një kërkesë të caktuar, për një palë të caktuar”, ka deklaruar Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi.
Këtë e ka theksuar edhe drejtoresha e Lëvizjes FOL, Mexhide Demolli.
“Do të duhej të ketë qoftë edhe gjoba për individë konkretë, për ata që e refuzojnë qasjen sidomos në ato kërkesa që duhet të jenë publike qoftë edhe pa e bërë kërkesën hiç, në ato informata apo dokumente që duhet të jenë publike, pa bërë kërkesë qoftë gazetarët apo shoqëria civile për to”, ka thënë Demolli.
Përfaqësues të shoqërisë civile kanë vlerësuar se sistemi aktual i sanksioneve për moszbatimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike nuk është efektiv.
Ata kanë kërkuar edhe rishikimin e ligjit, me qëllim zgjerimin e kompetencave të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, pasi procesi që synon të garantojë qasje në dokumente publike, në shumë raste përfundon vetëm me shqiptimin e gjobës, pa siguruar ofrimin e informacionit të kërkuar.