Në tryezat e organizuara në kuadër të aktiviteteve kundër korrupsionit u theksua se institucionet ende po hasin vështirësi serioze si në trajtimin e dhuratave për zyrtarë publikë ashtu edhe në mbrojtjen e sinjalizuesve. Përfaqësues të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit dhe organizatave të shoqërisë civile thanë se dobësitë në këto dy fusha po dëmtojnë besimin e qytetarëve
Dhuratat ndaj zyrtarëve publikë si problematikë e test ndaj integritetit ishin temë në tryezën e organizuar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit. Për zëvendësdrejtorin e kësaj agjencie, Liridon Nika, trajtimi i këtij fenomeni është një test për institucionet, të cilin, sipas tij, kanë dështuar ta kalojnë edhe shtete të Bashkimit Evropian.
“Por sapo hynë në hapësirat publike dhurata nuk është më gjest, bëhet test. Testi i integritetit tonë, i institucioneve tona, i drejtësisë sonë dhe mbi të gjitha i besimit të qytetarëve në ne”, ka thënë Nika.
E, drejtori i Departamentit për Kontrollin e Pasurisë dhe Dhuratave në APK, Afrim Atashi, theksoi që çështja e dhuratave ka qenë gjithmonë problem i agjencisë, por edhe i institucioneve të obliguesve të tjerë që kanë pasur për t’i deklaruar dhuratat.
“Dhuratat janë çështje e lirshme që lidhet ngushtë me integritetin, transparencën dhe besimin publik. Një dhuratë mund të përfaqësojë një akt të zakonshëm, mirësjellje, por në kontekstin zyrtar mund të krijojë konflikt dhe ndikim të paligjshëm. Për këtë arsye, organizatat e vendeve moderne të Bashkimit Evropian, por edhe ne si Kosovë, kanë parapare rregulla të qarta se si të pranohen dhe regjistrohen këto dhurata”, ka theksuar ai.
Gzim Shala, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, theksoi se edhe pse dhurata mund të duket si gjest kulturor dhe jo ryshfet, ajo krijon gjithsesi një varësi morale te zyrtari.
“Në kuptimin kulturor ndoshta tek ne edhe në vendet e tjera dhurata ka një emër të mirë, është dhuratë, dhe nuk mund të ketë njëfarë perceptimi të përgjithshëm, sepse nuk lidhet diçka me çështjen e ushtrimit të detyrave, nuk është ryshfet, mirëpo secila dhuratë e krijon një lloj varësie të minimumit moral në raport me një palë të caktuar, me një procedurë të caktuar e cila krijon edhe një vendim të padrejtë, e nëse vendimi është i drejtë atëherë të paktën mungesë të besimit të publikut mbi drejtësinë e atij vendimi. Në sektorin e drejtësisë dhurata shkon edhe në një nivel më të lartë, në mënyrë që të ruhet e drejta për gjykim të drejtë në kuadër të një rastit të caktuar”, ka deklaruar Shala.
E në një ngjarje tjetër në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit, Lëvizja FOL ka organizuar tryezë diskutimi me temën “Mbrojtja e sinjalizuesve në Kosovë: Mes ligjit dhe realitetit”.
Flamur Kabashi, hulumtues në IKD, ka thënë se sinjalizuesit duhet të konsiderohen si partner në mbrojtjen e interesit publik dhe jo si armik i institucionit, siç fatkeqësisht trajtohet kohëve të fundit. Ai tha se ka edhe mangësi në zbatim të ligjit.
“Shpesh institucionet, brenda të cilit janë zyrtarët të përcaktuar, personat ose stafi nuk e dinë cili është personi zyrtar për sinjalizim. Shumë institucione nuk e përmbushin detyrimin për dorëzimin e raportit vjetor në agjenci. Raportimi i brendshëm është i dobët dhe shpesh sinjalizimet kthehen në ekspozim të sinjalizuesit”, ka thënë Kabashi.
Milot Shala, udhëheqës i Divizionit për Sinjalizim në APK, ka thënë se vetëdijesimi për sinjalizim është rritur ndër vite.
“Në institucionet publike fatmirësisht e kemi një vetëdijesim, ndër vite kemi numër më të madh të rasteve të paraqitura ose rasteve të trajtuara, për shembull në vitin 2023 i kemi pasur 20, vitin e kaluar i kemi pasur 50, ndërsa këtë vit i kemi afër 90”, ka njoftuar Shala.
Në këtë diskutim, si problematike u konsiderua edhe vetëdijesimi për sinjalizim në sektorin privat. U tha se shumica e bizneseve nuk janë as të informuara për ekzistimin e ligjit, nuk kanë zyrtarë përgjegjës, inspektimet janë të pakta, nuk ka procedura kundërvajtëse të iniciuara, raportimi vjetor pothuajse mungon, dhe vetëm rreth 40% e të punësuarve janë të gatshëm të sinjalizojnë- shenjë e qartë e frikës dhe mosbesimit në mekanizmat ekzistues.