Këngëtari i njohur, Justin Bieber, ka theksuar se nuk kërkon “hakmarrje” dhe as nuk dëshiron “ta djegë industrinë e muzikës”, por synon që ajo të bëhet “më e sigurt” dhe “më e ndershme”, në mënyrë që artistët e rinj të mos përjetojnë atë që ai e ka përjetuar.
31-vjeçari u bë i famshëm që fëmijë dhe kaloi vitet më formuese të jetës nën vëmendjen e vazhdueshme publike. Gjatë asaj periudhe, ai u përball me probleme serioze, përfshirë arrestimin në vitin 2014 nën dyshimin për drejtim automjeti në gjendje të dehur, që më pas çoi në një dënim për vozitje të pakujdesshme. Sot, Bieber është i bindur se nuk ka qenë i mbrojtur siç duhej gjatë rritjes së tij në industri.
Në një seri postimesh në Instagram, ai ka thënë se besimi i tij i krishterë e ka ndihmuar ta përballojë dhimbjen, ka raportuar FemaleFirst.
“U rrita në një sistem që e shpërblente talentin tim, por jo gjithmonë e mbronte shpirtin tim. Ka pasur momente kur jam ndier i shfrytëzuar, i nxituar, i formuar në diçka që nuk e kisha zgjedhur plotësisht. Ky lloj presioni lë plagë që nuk duken në skenë. Kam mbajtur zemërim dhe e kam pyetur Zotin pse. Por Jezusi vazhdon të më takojë në mes të dhimbjes, jo për të justifikuar atë që më ka lënduar, por për të më mësuar si të mos hidhërohem”, ka shkruar ylli.
Bieber ka theksuar se sot flet nga pozicioni i shërimit, jo i viktimizimit.
“Nuk po flas si viktimë që ende po i rrjedh gjak, po flas si dikush i rikthyer. Sepse jam shëruar, mund të fal. Jo për të pretenduar se padrejtësia nuk ka ndodhur, por që ajo të mos vazhdojë të jetojë brenda meje”, ka shkruar tutje ai.
Këngëtari ka thënë se dëshiron ndryshime reale në industrinë e muzikës.
“Nuk dua hakmarrje. Dua shpërblim. Nuk dua ta shkatërroj industrinë. Dua që ajo të transformohet.
Ajo që më ndodhi ishte reale, por nuk e ka fjalën e fundit. Jezusi nuk më ndihmoi vetëm të përballoja gjithçka, por ma riktheu identitetin. Unë nuk jam produkt. Nuk jam ai që industria kërkonte nga unë. Unë jam një bir”, ka thënë Bieber.
Duke përsëritur mesazhin e tij ai ritheksoi se “Nuk dua ta djeg industrinë e muzikës. Dua ta shoh të rilindur, më të sigurt, më të ndershme, më njerëzore.”
Këtë vit, Bieber u rikthye në muzikë me albumet “Swag” dhe “Swag II”, por ka pranuar se heziton të nisë turne të gjata, pasi nuk dëshiron të qëndrojë larg bashkëshortes së tij, modeles, Hailey Bieber, dhe djalit të tyre të vogël, Jack.
Gjatë një transmetimi live në Twitch për Halloween-in (31 tetor 2025), fituesi i dy çmimeve “Grammy” ka thënë se turnetë e lodhin shumë.
“Turnetë të marrin shumë energji dhe unë i kam bërë që fëmijë. Edhe ideja e turneut më duket shumë e rëndë. Fillimisht e dua shumë, por pastaj vjen një moment kur jam krejtësisht i djegur”, ka thënë ai.
Megjithatë, ai nuk e përjashton performimin live, por në një format më të kufizuar.
“Dua të zgjedh një qytet dhe të bëj disa koncerte rresht, pa u angazhuar për dy vite turne”, ka thënë Bieber.
Justin Bieber pritet të jetë një nga yjet kryesorë të festivalit “Coachella” në vitin 2026.