Aktori Ezra Miller është arrestuar në Hawaii për sjellje të pahijshme në një bar nate, raportoi të martën portali “Deadline“.
Ylli i cili e portretizon superheroin The Flash, të bazuar në librat komik “DC Comics”, u arrestua të dielën mbrëma pas një incidenti në qytetin Hilo.
Sipas raportimeve të policisë, 29-vjeçari Miller u nervozua, ndërsa disa klientë në lokalin ku ai po qëndronte, filluan të këndonin karaoke. Më pas, aktori filloi të bërtasë dhe shajë dhe në një moment ia rrëmbeu mikrofonin një gruaje 23-vjeçare që këndonte karaoke. Ai po ashtu e sulmoi një burrë, i cili po luante pikado.
Si rezultat, Miller u arrestua dhe më pas u lirua me kusht pas pagimit të shumës prej 500 dollarëve, njoftoi të martën portali “Deadline“.
Ezra Miller për herë të parë u paraqit në rolin e Barry Allenit, ndryshe i njohur si The Flash, në filmin e vitit 2016, “Batman v Superman: Dawn of Justice“.
Ai po ashtu e ka bërë një paraqitje të shkurtër si superheroi i famshëm në filmat, “Suicide Squad” dhe “Justice League” dhe në fund të vitit të kaluar i përfundoi xhirimet e projektit të ardhshëm me titull “The Flash”. Filmi pritet të lansohet nëpër kinematë botërore gjatë vitit 2023.
Edhe
Ezra Miller kërkon falje për sjelljet e fundit, fajëson shëndetin mendor

Miller gjithashtu luan në vazhdimin e ri “Fantastic Beasts: The Secrets of Dumbledore”, ku luajnë edhe aktorët tjerë yje, si Eddie Redmayne, Jude Law, Katherine Waterston, Dan Fogler, Alison Sudol dhe Callum Turner. David Yates rikthehet në rolin e regjisorit të filmit, i cili bazohet në skenarin e shkruar nga, J.K. Rowling dhe Steve Kloves.
“Fantastic Beasts: The Secrets of Dumbledore” lansohet nëpër kinema më 15 prill të këtij viti.