Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Arrestohet sërish Ezra Miller

Aktori amerikan, Ezra Miller, është arrestuar sërish pasi akuzohet se e gjuajti një grua me karrige.

Ylli i filmave “Fantastic Beasts” u arrestua nga policia e Hawaiit në mëngjesin e së martës (19 prill), për sulm të shkallës së dytë. Besohet se incidenti kishte ndodhur gjatë një ndeje në një rezidencë private në Puna, ku besohet se aktori e ka sulmuar fizikisht një grua, raportoi të mërkurën portali “Female” .

Departamenti i Policisë në Hawaii e ka lëshuar një deklaratë për media ku shkruhej: “Gjatë hetimit të saj, policia përcaktoi se individi i identifikuar më vonë si, Ezra Miller, u inatos pasi iu kërkua të largohej nga rezidenca dhe thuhet se hodhi një karrige, duke e goditur në kokë një femër 26-vjeçare. Ajo ka pësuar lëndime fizike si pasojë e këtij incidenti”.

Gruaja në fjalë ka refuzuar të trajtohet për lëndimet e saj, derisa Ezra u lirua pas disa orësh në pritje të hetimeve të mëtejshme.

Arrestimi i yllit të filmit “Flash” vjen tri javë pasi ai u padit për sjellje të çrregullt dhe ngacmim, pas incidentit që ndodhi në një bar nate.

29-vjeçari u nervozua ndërsa disa klientë në lokalin ku ai po qëndronte, filluan të këndonin karaoke. Më pas, aktori kishte filluar të bërtasë dhe shajë dhe në një moment ia rrëmbeu mikrofonin një gruaje që këndonte karaoke. Ai po ashtu e kishte sulmuar një burrë i cili po luante pikado. Si rezultat, Miller u arrestua dhe më pas u lirua me dorëzani pas pagimit të shumës prej 500 dollarësh.

Këto nuk janë incidentet e vetme të aktorit në Hawaii. Ai gjithashtu është akuzuar se e ka kërcënuar me vrasje një çift me të cilin po qëndronte atëkohë. Personat që nuk janë identifikuar nga mediat e kanë akuzuar yllin hollywoodian për vjedhje të gjërave personale dhe kanë bërë kërkesë për urdhër ndalesë ndaj tij.

Ezra Miller po ashtu është i përfshirë në një rast tjetër ligjor ku akuzohet për shkelje të rregullave në trafik. Ngjarja ka ndodhur në Hilo.

Projekti i fundit i Millerit është filmi i regjisori David Yates, “Fantastic Beasts: The Secrets of Dumbledore”, ku luajnë edhe aktorët tjerë yje si: Eddie Redmayne, Jude Law, Katherine Waterston, Dan Fogler, Alison Sudol dhe Callum Turner.

Artikuj të ngjashëm