Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka mbërritur në Serbi, në vizitën e parë zyrtare në këtë shtet që nga marrja e detyrës në vitin 2019 dhe që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
Zelensky mbërriti të premten në mbrëmje në Aeroportin “Nikola Tesla” në Beograd, ku u prit nga ministrja serbe e Energjisë, Dubravka Handanoviq. Në aeroport ai u prit me tapet të kuq dhe me gardën e Ushtrisë së Serbisë.
Të shtunën, Zelensky pritet të zhvillojë takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Gjatë vizitës dyditore, ai do të takohet edhe me kryeministrin serb, Gjuro Macut, me të cilin do të diskutojë për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe çështjet e sigurisë.
VIDEO:
Zelensky arrives in Serbia for his first official visit, to meet Vučić. pic.twitter.com/liRVOME6S6
Sipas gazetës gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), një nga temat kryesore të bisedimeve do të jetë mundësia e prodhimit të përbashkët të dronëve.
Edhe
Zelensky do ta vizitojë Serbinë për herë të parë
Raportohet se projekti mund të realizohet përmes një bashkëpunimi trepalësh, ku Serbia do të shërbente si vend prodhimi, Ukraina do të sillte përvojën e saj në përdorimin e dronëve, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe do të ishin partneri financiar.
FAZ shkruan gjithashtu se Ukraina ka shprehur prej kohësh interes për prodhimin e armëve dhe municioneve në Serbi, ndërsa ish-ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka luajtur rol të rëndësishëm në afrimin e Kievit dhe Beogradit për këtë bashkëpunim.