Kandidati i VLEN-it për Komunën e Çairit, Izet Mexhiti, ka shpallur fitoren në këtë komunë duke u shprehur se me këtë fitoi një klasë e re politike, derisa kundërshtarët shkuan në pension.
Gjatë adresimit të tij, Mexhiti ka kërkuar nga Ali Ahmeti i BDI-së që të tërhiqet nga politika, sepse siç u shpreh ai, votat e qytetarëve e çuan në pension, shkruan Alsat-M.
“Në Çair fituan të gjithë shqiptarët. Sot dua të them me zë të qartë se fituan të gjithë shqiptarët. Urime pensionimin kundërshtarëve politikë. Fitorja jonë nuk është fitore personale, por është fitore e një klase politike që sjell ndryshim. Faleminderit shqiptarë. Kjo është fitore e dinjitetit qytetar, e shpresës që qytetarët e kanë fituar me votë të lirë. Falënderojmë institucionet që garantuan një proces të qetë dhe demokratikë”, deklaroi Mexhiti.
Ndërsa, nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi shpalli fitoren në Komunën e Likovës dhe Pllasnicës.
“E fillojmë fitoren e madhe me fitore në raundin e parë në dy komuna, dhe atë në Likovë ku ka mbaruar procesi zgjedhor dhe kandidati jonë Erkan Arifi ka fituar. Po ashtu edhe në Pllasnicë ka fituar kandidati jonë”, ka thënë Ademi.
