Rajon

Tensione në Beograd, përplasje mes xhandarmërisë dhe personave të maskuar

Serbia

Foto: Associated Press

Përditësim 23:44 - Policia e Serbisë ka përdorur gazlotsjellës për të shpërndarë turma të njerëzve që qëndronin rrugëve pas protestës së studentëve në Beograd. Siç ka raportuar “N1”, xhandarmëria serbe është përplasur me disa persona të maskuar.

Zyrtarisht, protesta e studentëve ka përfunduar. “S’është më protestë e studentëve”, kanë deklaruar organizatorët pas orës 21:00.

Disa persona raportohet të jenë arrestuar.


Studentët me ultimatum kërkojnë zgjedhje në Serbi, ndërhyn xhandarmëria

Qindra mijëra qytetarë e studentë kanë protestuar në Beograd të  shtunën, në protestën me të cilën kanë vendosur ultimatum për zgjedhje të reja në Serbi dhe rrëzim të presidentit Aleksandar Vuçiq.

Studentët kanë parashtruar dy kërkesa për qeverinë serbe. Me të parën, kërkohen zgjedhje të parakohshme, kurse me të dytën ndërprerja e tubimit në qendër të Beogradit, ku gjatë tre muajve të fundit kanë bërë kampe mbështetësit e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, të cilët kundërshtojnë protestat e studentëve.

Protestuesit kanë shprehur pritjen që kërkesat të përmbushen deri në orën 21:00, por presidenti serb i ka hedhur poshtë kërkesat. E fiks në orën 21:00, studentët kanë bërë thirrje se “ultimatumi ka përfunduar”.

Aty tashmë ka ndërhyrë edhe xhandarmëria serbe dhe dy brigada policie, siç ka raportuar “Danas”. E protestuesit sipas “N1” duke u konfrontuar me policinë janë dëgjuar duke u thënë “Shkoni në Kosovë”.

Në turmat e protestuesve pati edhe parulla si “SNS shqiptare (pezhorativ – shqiptari), e keni tradhtuar Kosovën”.

Në një rast ka pasur edhe hedhje të gazit lotsjellës nga Policia.

Që nga njoftimi për mbajtjen e protestës, përfaqësuesit e pushtetit në Serbi kanë deklaruar se studentët dhe pjesëmarrësit në këtë protestë po planifikojnë të bëjnë trazira në rrugë.

Është raportuar se disa ditë para protestës policia serbe ka arrestuar një numër personash, nën akuzën për komplot e për përmbysje të qeverisë.

Ndërkaq, studentët protestues kanë deklaruar se me veprimet e tyre deri tani kanë treguar se janë kundër çdo forme të dhunës.

Për më shumë se shtatë muaj, studentët kanë organizuar protesta në të gjithë Serbinë, duke kërkuar kryesisht që të përcaktohet përgjegjësia politike dhe penale për vdekjen e 16 personave nga shembja e strehës së betonit në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad.

Stacioni ishte rikonstruktuar dhe inauguruar zyrtarisht disa muaj para shembjes.

Në të njëjtën ditë, në Beograd është organizuar edhe një protestë tjetër, në atë që njihet si festa kombëtare e Vidovdanit. Kjo protestë u organizua nga mbështetësit e Vuçiqit. Mbështetësit e Qeverisë u mblodhën para ndërtesës së parlamentit, ku planifikojnë të organizojnë “mbrëmje letrare”.