Botë

Mijëra protestues në Beograd kundër goditjes së lëvizjes studentore

sr

Foto: Associated Press

Mijëra protestues janë mbledhur në kryeqytetin e Serbisë të martën duke e akuzuar qeverinë për goditje ndaj universiteteve, të cilat kanë qenë forcë kryesore prapa një fushate që ka tronditur pushtetin e presidentit autokratik Aleksandër Vuçiq.

Protestuesit u mblodhën jashtë Universitetit të Beogradit. Tubimi paqësor, i quajtur “Dituria është fuqi”, ishte në mbështetje të profesorëve që humbën punën ose pozitën pasi morën pjesë në demonstratat anti-qeveritare, raportoi AP.

“Asnjë qeveri në historinë tonë nuk ka trajtuar anëtarët e komunitetit akademik me arrogancë, hakmarrje dhe inat të tillë dhe vetëm sepse komuniteti akademik refuzoi të heshtë”, i ka thënë turmës Vladan Gjokiq, kryedekani i universitetit.

Demonstratat e udhëhequra nga studentët u nxitën pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad ku vdiqën 16 persona në nëntor të vitit 2024. Shumë serbë ia hodhën fajin autoriteteve për shpërfillje të rregullave të sigurisë.

Protestat mbarëkombëtare janë bërë më të mëdhatë në Serbi për vite, që ka tërhequr qindra e mijëra njerëz. Vuçiqi ka refuzuar zgjedhjet e parakohshme ashtu siç kanë kërkuar protestuesit.

Të martën në mëngjes, disa fakultete në Beograd pezulluan mësimin për atë ditë për shkak të protestës.

Serbia është përballur me kritika ndërkombëtare pas raportimeve për ushtrim të forcës së tepërt dhe ndalime arbitrare të protestuesve.