Gjuha ka përplasur Malin e Zi e Serbinë të premten duke e shtyrë atë të parën ta thërrasë ambasadorin serb për sqarim. Përplasja u nxit pasi Zyra për Diplomaci Publike dhe Kulturore e Qeverisë së Serbisë deklaroi se mbi 43% e qytetarëve malazias deklarojnë se flasin gjuhën serbe, derisa 34% deklarohen për gjuhën malaziase. Përplasjet pasuan në rrjetin social “X”.
Pas postimit të Zyrës së Qeverisë serbe, Ministria e Jashtme e Malit të Zi qe e shpejtë në reagim. Ajo njoftoi se u thirr ambasadori serb dhe se me të u theksua se komunikimi i tillë është i papranueshëm, se çështje të tilla bien direkt brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore të Malit të Zi.
E, Ministria e Jashtme e Serbisë iu përgjigj. Ajo përmes një replike në “X” ka thënë se deklarata e MPJ-së malaziase është shembull tipik se si futen marrëdhëniet dypalëshe mes Serbisë e Malit të Zi në kontekstin e politikës ditore. Ajo e ka akuzuar Malin e Zi se gjithë situatën e ka nxjerrë nga konteksti qëllimisht.
Ministria serbe u arsyetua se postimi në llogarinë joformale të zyrës së qeverisë nuk e ka prekur rendin kushtetues apo ligjor të Malit të Zi, por “me një dozë të shëndetshme humori vuri në dukje faktin e njohur mirë se gjuha serbe është pjesë e identitetit të një numri të konsiderueshëm qytetarësh të Malit të Zi”.
Të shtunën, edhe një herë Ministria e Punëve të Jashtme të Malit të Zi i reagoi të duke thënë se ministria e Serbisë po përdor argumentet e njëjtë që çuan deri te thirrja e ambasadorit serb, derisa i ka rikujtuar standardet themelore të respektimit të institucioneve malaziase dhe rendit të brendshëm.
Në reagimin e saj është theksuar se komunikimi i përgjegjshëm nga adresat zyrtare nuk janë çështje e interpretimit por se përfaqëson standardin minimal në marrëdhëniet ndërkombëtare.
“Përpjekjet për të interpretuar në mënyrë selektive kategoritë kushtetuese ose për t’i shndërruar ato në narrative ‘humoristike’ nuk e ndryshojnë realitetin, përkundrazi e shfaq instrumentalizimin politik. Ndërhyrja e vazhdueshme në punët e brendshme të Malit të Zi, duke shpërfillur faktet, standardet kushtetuese dhe rolin e institucioneve, nuk mund të konsiderohet shprehje e shqetësimit, por më tepër formë e presionit politik”, thuhet në reagimin e MPJ-së të Malit të Zi.
The reaction of the Ministry of Foreign Affairs of the Republic of Serbia is based on the same arguments that led to the summoning of the Serbian Ambassador in Montenegro, when Montenegro recalled the fundamental standards of respect for Montenegrin institutions, its internal… https://t.co/SU8Y8uNyH7
— MFA Montenegro (@MFA_MNE) January 30, 2026