Basketbolli është njëri prej sporteve më të popullarizuara në të gjithë botën dhe besoj që ju e pëlqeni shumë. Por a e dini se kush e shpiku atë? Le ta mësojmë së bashku!
Ndryshe nga shumica e sporteve të tjera, origjinën e basketbollit mund ta gjurmojmë tek një person i vetëm, i quajtur James Naismith. Në vitin 1891, ai sapo kishte mbaruar kolegjin dhe punonte si trajner në një palestër. Atë vit dimri ishte shumë i ftohtë dhe më borë, kështu që stërvitjet në palestër u mbajtën brenda për muaj të tërë dhe fëmijët filluan të bëheshin çdo herë e më të zhurmshëm.
Për këtë arsye, shefi i James Naismith i dha atij një projekt që të përpiqej të zgjidhte problemin duke shpikur një lojë krejtësisht të re, të cilën fëmijët mund ta luajnë në ambiente të mbyllura dhe të shpenzojnë energjinë që kanë. Atij iu dhanë vetëm dy javë kohë për të shpikur këtë lojë dhe disa udhëzime: loja nuk mund të zinte shumë hapësirë, nuk duhej të ishte shumë e ashpër dhe duhej t’i ndihmonte fëmijët të qëndronin në formë.
Kështu që, James nisi të mendonte fillimisht për topin. Nuk duhej një top shumë i fortë sikurse i golfit apo bejsbollit, kështu që zgjodhi topin e futbollit. Më pas vendosi një shportë mbi kokën e lojtarëve, që ata të hidhnin topin në shportë në vend se ta zvarritnin në tokë. Dhe vendosi ta emërtonte këtë sport basketboll, sepse kishte një shportë që në gjuhën angleze quhet basket dhe një top që quhet ball. Sipas tij, faullet në lojë bëhen kur lojtarët vrapojnë me top në duar ose sulmojnë lojtarin tjetër. Pas çdo rezultati të shënuar, loja duhej të ndalonte që dikush të ngjitej me shkallë tek shporta dhe ta merrte topin. Për këtë arsye nevojitej një shportë tjetër që topi të binte vetë në tokë dhe loja të mos ndalonte pas çdo pike.
Rregullat e para të lojës nuk përfshinin driblimin, e vetmja mënyrë që topi të shkonte deri te pjesa tjetër e fushës ishte përmes pasimit të tij nga njëri lojtar tek tjetri. Kështu, lojtarët shpikën shpejt një strategji të pasimeve për veten e tyre duke e hedhur topin në ajër ndërsa vrapojnë përreth.
Edhe
Çfarë përfitojnë fëmijët nëse luajnë basketboll?
Ndërsa në vitin 1905 shporta u zëvendësua me rrjetën që ne e njohim sot dhe u bënë edhe disa ndryshime në fushë dhe në rregullat e lojës, të cilat ndihmuan që basketbolli të bëhet një sport shumë i popullarizuar dhe që ne e duam shumë.
Po ju fëmijë a e keni provuar sportin e basketbollit? Nëse jo, çfarë po prisni? Ju e mësuat historinë e tij, kurse tani është koha ta praktikoni atë dhe të kënaqeni shumë.