Dita e Tokës ka filluar të shënohet nga senatori Gaylord Nelson i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për 7 vjet me radhë ai u përgatit për shënimin e parë të Ditës së Tokës. Senatori Nelson besonte se pak njerëz po flisnin për mjedisin dhe për mbrojtjen e tij. Kështu, ai e krijoi Ditën e Tokës që të ishte një mundësi për njerëzit që të mësonin dhe të ndanin njohuri apo ide rreth mënyrave se si ne mund të kujdesemi për Tokën. Më pas e gjithë kjo u bë realitet, sepse më 22 prill 1970 mbi 20 milionë njerëz morën pjesë në Ditën e Tokës, e cila po shënohej për herë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kurse tani kjo ditë shënohet në shumë vende të botës përmes aktiviteteve të ndryshme.
Toka ka shumë vlerë. Për këtë arsye ne duhet ta mbrojmë atë duke u treguar të përgjegjshëm. Por, a e dini se si mund ta bëjmë këtë?
Ashtu sikurse ne kujdesemi për veten tonë, duke u ushqyer shëndetshëm dhe duke ushtruar, ne duhet të kujdesemi edhe për planetin tonë. Mënyra se si ne mund të mbrojmë Tokën është përmes riciklimit. Kur ne riciklojmë, ulim ndotjen e ajrit, sepse do të ketë më pak deponi ku mblidhen mbeturinat. Gjëja më praktike që mund ta riciklojmë është letra. Kjo e ndihmon Tokën shumë, sepse nuk do të priten shumë drunj. Mënyrë tjetër e mbrojtjes së ajrit është zvogëlimi i shpenzimeve të panevojshme. P.sh në vend se te blejmë çdo ditë shishe me ujë, ne e ruajmë një shishe dhe e mbushim me ujë nga shtëpia.
Gjithashtu një mënyrë tjetër se si ne mund ta mbrojmë planetin në të cilin jetojmë është përmes mbjelljes së pemëve. Kjo veprimtari është shumë e rëndësishme, sepse pemët janë sikurse mushkëritë e Tokës. Ato lirojnë oksigjen, i cili është shumë i rëndësishëm për mjedisin dhe për neve, sepse ne nuk mund të jetojmë pa oksigjen.
Pra, Dita e Tokës është shumë e rëndësishme për të ngritur vetëdijen rreth mënyrave se si mund ta mbrojmë atë, duke përmbushur përgjegjësitë që kemi ndaj mjedisit që na rrethon. Por, mos harroni se për planetin tonë duhet kujdesur çdo ditë, pasi nuk mjafton një ditë që ne të shprehim dashurinë që kemi për të. Prandaj doni Tokën dhe kujdesuni gjithmonë për të!