Mirë se vini përsëri në Programin Fluturues të Fëmijëve, ku çdo episod është një aventurë e re, plot ngjyra, dije dhe dashuri për botën që na rrethon. Sot do të flasim për një temë shumë të rëndësishme, riciklimin, dhe si përmes tij mund ta ruajmë planetin tonë të dashur.
E gjithë dita jonë u mbush me krijimtari! Dhe e veçanta e këtij episodi është se çdo gjë që bëmë, e krijuam me materiale të ricikluara, gjëra që zakonisht do t’i hidhnim, por që sot u bënë vepra arti dhe mësimi.
Në fillim, morëm kartonë cilindrik nga letra e tualetit dhe fletë të bardha. Me to krijuam flutura shumëngjyrëshe, secila me ngjyrat tona të preferuara. Ishin të lehta si ajri, por me një mesazh të fuqishëm: çdo gjë mund të kthehet në diçka të bukur, nëse përdoret me dashuri.
Pastaj, me disa letra të tjera, punuam së bashku për të krijuar një glob të vogël, ku ngjyra e kaltër përfaqësonte oqeanet, lumenjtë dhe detet ndërsa e gjelbra përfaqësonte pyjet, fushat dhe të gjitha vendet ku jetojmë ne dhe kafshët.
Kjo na bëri të pyesim: Kush jeton në ujë dhe kush në tokë? Kështu mësuam për breshkat, balenat, peshqit e delfinët që notojnë në ujë, dhe për elefantët, fluturat, arinjtë dhe zogjtë që jetojnë në tokë.
Kuptuam se çdo krijesë ka nevojë për një mjedis të pastër për të jetuar dhe për të qenë e lumtur ashtu si edhe ne.
Më pas, u ndalëm te një mësim shumë praktik dhe i rëndësishëm: Si riciklojmë?
Mësuam se secili mbeturinë ka vendin e vet:
Në shportën e verdhë hedhim plastikën dhe metalet, si shishet, kënaçet dhe ambalazhet. Në shportën e gjelbër vendosim letrën dhe kartonin, që mund të përdoren përsëri për libra apo kuti të reja. Në shportën e kuqe vendosen mbeturinat që nuk mund të riciklohen, si mbeturina ushqimore apo mbetje të ndotura.
Duke ndarë mbeturinat, ne ndihmojmë që më pak gjëra të përfundojnë në natyrë, dhe më shumë të kthehen në materiale të dobishme për botën.
Por ne nuk ndaluam me kaq!
Përdorëm kartonë të ricikluar për të krijuar lule, flutura dhe forma të tjera magjike, duke përdorur imagjinatën dhe kreativitetin tonë. Çdo ngjyrë dhe çdo formë mbante një histori të vogël, një kujtim që edhe nga diçka e thjeshtë mund të lindë bukuria.
Në fund, si një përqafim për Tokën, mbollëm lule. Secila lule që mbollëm ishte si një premtim: Ne do të kujdesemi për ty, Tokë! Sepse kur mbjellim një lule, mbjellim dashuri.
Në një botë ku çdo ditë mund të ketë më shumë plastikë sesa flutura, më shumë ndotje sesa lule, ne - fëmijët e vegjël me zemra të mëdha, po tregojmë se ndryshimi fillon me një copë karton, një bojë, dhe një ide të mirë.
Riciklimi është kujdesi ynë për të ardhmen!
Sepse Toka nuk ka nevojë për superheronj, ajo ka nevojë për ty dhe për mua, që të kujdesemi për të çdo ditë.
Deri në episodin tjetër, mos harroni:
Çdo herë që ricikloni, krijoni diçka të re - për vete, për Tokën, dhe për të ardhmen.