Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
PROGRAMI FLUTURUES I FËMIJËVE

A e dini se sa është i vjetër sporti i kërlingut?

Fëmijë të dashur, a e dini se sa është i vjetër sporti i kërlingut?

Me origjinë në Skoci, sporti dimëror i kërlingut daton prej vitit 1541, kur një person e sfidoi mikun e tij të luanin një lojë me gurë në akull. Kurse në ditët e sotme është pjesë e Lojërave Olimpike Dimërore.

Kërlingu konsiderohet si njëri prej sporteve më të vjetra ekipore në botë. Në të kaluarën luhej në pellgje dhe liqene të ngrira me gurë primitivë të kërlingut të krijuar nga lloje të ndryshme materialesh dhe shkëmbinjsh. Më pas në vitin 1838 u themelua klubi i parë modern i kërlingut në Skoci. Anëtarët e këtij klubi ishin përgjegjës për organizimin e duhur të lojës dhe shkrimin e librit të parë zyrtar të rregullave të kërlingut. Më vonë, mbretëresha e Mbretërive të Bashkuara, Viktoria, i dhuroi sportit të kërlingut statut mbretëror, sepse ai po bëhej gjithnjë e më i popullarizuar në Evropë dhe Kanada.

Kur është moti i përshtatshëm, në disa vende loja vazhdon të shijohet jashtë, por të gjitha garat konkurruese të kërlingut tani zhvillohen në sheshe patinazhi të mbyllura, me temperaturën e akullit të kontrolluar me kujdes.

Shteti më i suksesshëm në garat e kërlingut në historinë olimpike dimërore është Kanadaja, me 11 medalje, prej tyre 6 të arta.

Tani, kërlingu përfshin tri kategori: meshkuj, femra dhe dyshe të përzier. Mirëpo, pavarësisht ndryshimeve që pësoi ky sport, përmes historisë së tij të gjatë ai u bë një sport tërheqës për të gjitha moshat. Prandaj të dashur fëmijë, përse nuk e provoni edhe ju atë? Improvizoni gurët siç kanë bërë më herët themeluesit e kërlingut dhe do të përjetoni një kënaqësi të paharruar.