Edhe pse nuk është pjesë e kulturës sonë, sporti i kërlingut zë vend në grupin e sporteve që praktikohen në vendin tonë. Kushtet për këtë aktivitet sportiv nuk janë akoma të përmbushura plotësisht, mirëpo kjo nuk po i ndalon adhuruesit e tij që ta praktikojnë.
Kërlingu është një sport në të cilin lojtarët rrëshqasin gurët në akull drejt një zone të synuar, e cila përbëhet nga katër rrathë.
Për shkak të mungesës së një salle të veçantë për ta zhvilluar këtë sport, në vendin tonë praktikohet në një hapësirë të improvizuar. Prapëseprapë, ky fakt nuk po i mërzit fëmijët. Përkundrazi ata janë shumë të entuziazmuar dhe ambiciozë për të luajtur kërling. E për këtë nuk hezituan të ndanin emocionet e tyre me ne.
Si çdo sport tjetër edhe kërlingu ka rregullat e tij, me të cilat u njoftuam më shumë gjatë lojës që zhvillonin fëmijët.
Duke shikuar fëmijët duke luajtur vërehej se sa shumë i përqendruar dhe i kujdesshëm duhet të jesh gjatë një ndeshjeje kërlingu. Këtë e vërtetoi edhe trajneri i këtij klubi Hivzi Metaj, i cili na tregoi më shumë rreth këtij sporti dhe sa po praktikohet ai në vendin tonë.
Ajo çfarë e dallon sportin e kërlingut nga sportet e tjera është edhe mënyra e numërimit të pikëve, që e demonstroi në detaje trajneri.
Fëmijët duke ushtruar me shumë pasion këtë sport të nxisin akoma më shumë ta provosh atë. Lëvizjet e tyre, përqendrimi dhe mënyra se si luanin duke bashkëpunuar dhe motivuar njëri-tjetrin si ekip e bëjnë kërlingun akoma më tërheqës.