PROGRAMI FLUTURUES I FËMIJËVE

Historia e pingpongut

Pingpongu është një sport i ngjashëm me tenisin, por ai luhet në një tavolinë të sheshtë të ndarë në fusha të barabarta nga një rrjetë. Mirëpo, a e dini se si filloi të luhej për herë të parë kjo lojë?

Fillimisht pingpongu nisi në shekullin e 19-të nga tregtari anglez, James Gibb. Ai me një karton goditi tapën e shishes dhe i lindi ideja për një sport të ri. Në tavolinë, në vend të rrjetës vendosi libra dhe përdori rregullat e tenisit. Më pas ai kishte përdorur topa të tjerë dhe kështu filloi përhapja e lojës, e cila ishte bërë shumë tërheqëse në Angli.

Pingpongu filloi të praktikohej më shumë në pallatet mbretërore, por shumë shpejt u bë i arritshëm edhe tek njerëzit e tjerë për të luajtur në shtëpi, pasi nuk kishin nevojë për një hapësirë të madhe jashtë.

E gjithë kjo ka shënuar një kthesë të madhe në zhvillimin e lojës, ngase më pas sportistët dhe turistët anglezë e kanë bartur lojën nga Anglia në shtetet e tjera. Kështu, në shekullin e 20-të u formua Federata Kombëtare, kurse gjatë mbajtjes së Kampionatit të Parë Botëror, në Londër u formua Federata Ndërkombëtare e Pingpongut. Njëra prej detyrave kryesore të kësaj federate ishte vendosja e rregullave të lojës.

Ndërsa njëri prej momenteve më të rëndësishme të historisë së pingpongut është zbulimi i gomës për reketë nga japonezi Haroi Satoh. Me këtë zbulim loja e pingpongut është bërë më e shpejtë dhe topit i jepet më shumë rrotullim.

Me të gjitha këto zhvillime, në vitin 1988 përmes garave individuale dhe të çifteve, femra dhe meshkuj, pingpongu është bërë sport olimpik dhe sot është shndërruar në njërin prej sporteve që luhen më së shumti. Andaj, nëse nuk e keni provuar akoma, çfarë jeni duke pritur? Improvizoni në shtëpi përmes mjeteve që keni dhe filloni të luani në këtë sport.