Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
PROGRAMI FLUTURUES I FËMIJËVE

Si praktikohet sporti i pingpongut në klubin “Pripoing”?

Tingujt e goditjes së topit, lëvizjet e shpejta dhe përqendrimi janë tri elementet që e karakterizojnë pingpongun, sport ky që po praktikohet me shumë dëshirë nga fëmijët e klubit “Priping” në Prishtinë.

Para se të fillojnë praktikimin e këtij sporti, ata fillimisht bëjnë ushtrime fizike, në mënyrë që të jenë më të gatshëm për të luajtur. Ngase edhe përse luhet brenda një hapësire të vogël, pingpongu kërkon përgatitje të madhe fizike, sepse është njëri prej sporteve që aktivizon më së shumti trupin dhe mendjen.

Në mënyrë që të mësohet ky sport dhe të përsosen lëvizjet e tij duhen përsëritje, për këtë arsye fëmijët e këtij klubi përmes ushtrimeve të ndryshme praktikojnë mes vete lëvizjet e këtij sporti me ndihmën e trajnerëve, të cilët janë gjithmonë të gatshëm për t’ua mësuar atyre rregullat dhe teknikat e këtij sporti.

E përveç tyre, klubi “Priping” është i pajisur me një robot të specializuar për këtë sport. Përmes tij fëmijët e këtij klubi kanë mundësi që të stërviten në mënyrë sa më intensive për të arritur qëllimet e tyre. E më shumë rreth dëshirës për këtë sport dhe synimeve që kanë, na treguan fëmijët e këtij klubi, të cilët i zhvillonin ushtrimet me shumë pasion.

Ky sport në tavolinë zhvillohet me ndihmën e reketit, që shërben për të goditur topin. Ai duhet të kalojë mbi rrjetë dhe të prekë në anën tjetër të tavolinës. Ritmi i shpejtë i lojës dhe vëmendja e vazhdueshme e shtojnë kënaqësinë që sjell ky sport. Gjithashtu përfitimet e mëdha që sjell ai në shëndetin mendor dhe fizik janë të panumërta.

Falë ushtrimeve intensive dhe një angazhimi të madh, klubi “Priping” është duke ndihmuar fuqizimin e talentëve në këtë sport. Njëra prej tyre është Tana Çitaku, për të cilën pingpongu ka bërë diferencën nga sportet e tjera. Ushtrimet e vazhdueshme ndër vite e kanë shndërruar Tanën në një lojtare me të vërtetë të fortë dhe të gatshme për të marrë pjesë në garat që zhvillohen në vend. Gjithashtu dashuria e madhe për këtë sport, ambicia dhe vullneti për të ushtruar e bëjnë atë një lojtare mjaft premtuese për të ardhmen.