Politikani Azem Vllasi ka thënë se pasojat më të mëdha të demonstratave të 81-shit i bartën organizatorët, pasi sipas tij, e humbën mundësinë që të shkolloheshin dhe ta zhvillonin karrierën.
"Demonstratat e 81-shit lanë pasoja të mëdha dhe të dhimbshme. Ata që organizuan dhe morën pjesë në ato ngjarje u ndëshkuan rëndë. Shumë prej tyre u dërguan nëpër burgje, dhe të rinjtë që duhej të vazhdonin studimet, të zhvillonin karrierat e tyre, përfunduan të privuar nga e drejta për një jetë normale. Ata ishin ata që e pësuan më së keqi, dhe ndjej ende dhimbje për ta, sot e kësaj dite", rrëfeu Vllasi gjatë bashkëbisedimit në podcastin PIKË me Veton Surroin.
Vllasi vazhdoi duke treguar se një tjetër pasojë e drejtpërdrejtë ishte shpërbërja e udhëheqësisë së Kosovës.
"Mahmut Bakalli dha dorëheqje dhe filloi periudha e mandateve njëvjeçare. Xhavid Hasani mori drejtimin, dhe ishte një figurë mjaft e fortë dhe e vendosur. Por, pas një periudhe të shkurtër, gjithçka u shemb dhe Kosova humbi udhëheqësinë e qëndrueshme", shtoi.
Një element i rëndësishëm, siç thotë Vllasi, ishte roli i Fadil Hoxhës, i cili parandaloi shpalljen e administratës ushtarake në Kosovë.
"Fadili bëri çmos për të ruajtur stabilitetin dhe për të mos e kaluar Kosovën në një fazë të re represioni", përfundoi Vllasi.
