Në episodin e njëzet të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është politikani shumëvjeçar Azem Vllasi, me të cilin diskutohet për demonstratat e vitit 1981 e çështje që lidhen me to. Është pjesa e dytë e rrëfimit të Vllasit, nga tri sosh

Vllasi numëron tri veprimet që Tito i bëri për shqiptarët

2 o. më parë / 20 kor 2025 20:57
vl

Politikani Azem Vllasi ka theksuar tri veprime kyçe të ish-liderit jugosllav Josip Broz Titos, të cilat ai i konsideron të rëndësishme për shqiptarët. 

Vllasi në podcastin PIKË me Veton Surroin u shpreh se Tito luajti një rol të madh në ndarjen e Jugosllavisë nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1948, një veprim që, sipas tij, shpëtoi shqiptarët nga ndikimi komunist i Stalinit.

Ai gjithashtu theksoi heqjen e Lavrentije Rankoviqit nga udhëheqja e Shërbimit Sekret të Sigurisë (UDB), që sipas Vllasit e mundësoi një ndryshim në trajtimin e shqiptarëve nga regjimi jugosllav. 

Si pikë të tretë, Vllasi e theksoi statusin kushtetues të vitit 1974, ku Kosovës iu mundësia nivel më i lartë i autonomisë dhe që sipas tij ishte arritje që mund të mos kishte ndodhur nëse Tito nuk do ta kishte miratuar.
 

Vllasi: Pasojat më të mëdha të demonstratave i bartën ata që i organizuan

2 o. më parë / 20 kor 2025 20:37
az

Politikani Azem Vllasi ka thënë se pasojat më të mëdha të demonstratave të 81-shit i bartën organizatorët, pasi sipas tij, e humbën mundësinë që të shkolloheshin dhe ta zhvillonin karrierën.

"Demonstratat e 81-shit lanë pasoja të mëdha dhe të dhimbshme. Ata që organizuan dhe morën pjesë në ato ngjarje u ndëshkuan rëndë. Shumë prej tyre u dërguan nëpër burgje, dhe të rinjtë që duhej të vazhdonin studimet, të zhvillonin karrierat e tyre, përfunduan të privuar nga e drejta për një jetë normale. Ata ishin ata që e pësuan më së keqi, dhe ndjej ende dhimbje për ta, sot e kësaj dite", rrëfeu Vllasi gjatë bashkëbisedimit në podcastin PIKË me Veton Surroin.

Vllasi vazhdoi duke treguar se një tjetër pasojë e drejtpërdrejtë ishte shpërbërja e udhëheqësisë së Kosovës. 

"Mahmut Bakalli dha dorëheqje dhe filloi periudha e mandateve njëvjeçare. Xhavid Hasani mori drejtimin, dhe ishte një figurë mjaft e fortë dhe e vendosur. Por, pas një periudhe të shkurtër, gjithçka u shemb dhe Kosova humbi udhëheqësinë e qëndrueshme", shtoi.

Një element i rëndësishëm, siç thotë Vllasi, ishte roli i Fadil Hoxhës, i cili parandaloi shpalljen e administratës ushtarake në Kosovë. 

"Fadili bëri çmos për të ruajtur stabilitetin dhe për të mos e kaluar Kosovën në një fazë të re represioni", përfundoi Vllasi.
 

Vllasi: Demonstratat e 81-shit, në kohë të papërshtatshme

3 o. më parë / 20 kor 2025 20:11
vvv

Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, politikani shumëvjeçar Azem Vllasi ka thënë se demonstratat e vitit 1981 në Kosovë ishin ngjarje të papërshtatshme për kohën dhe rrethanat që po kalonte Jugosllavia në atë periudhë.

Vllasi theksoi se, ndërsa kërkesat për ndryshime politike dhe sociale ishin të natyrshme për kohën, momenti i shpërthimit të protestave ishte tepër i ndjeshëm, pasi ndodhi në një periudhë pas vdekjes së Josip Broz Titos, liderit të Jugosllavisë, dhe përmes një periudhe pasigurie dhe tensioni politik.

Ai gjithashtu shtoi se ende nuk është sqaruar kush ishin ata që i nxitën demonstratat dhe çfarë i drejtoi ato në atë drejtim.

“Askush në Jugosllavi nuk ka pasur dëshirë që të fillonte një proces problematik. Këtu ndodhën demonstratat që ishin në kohën e papërshtatshme. Edhe sot, mbetet e paqartë se kush i nxiti ato. Vetëm se, siç mund të thuhet, vullneti patriotik i rinisë ishte faktor kyç, në një kohë kur Kosova ende nuk ndodhej në gjendjen e mjerueshme që e ka sot. Pas kësaj, u shfaq mendimi: ‘Të bëjmë diçka!’ “, u shpreh Vllasi.