Paris 2024

Swiatek e fiton meçin e parë në Olimpiadë

Iga Swiatek

Polakja Iga Swiatek e ka nisur me fitore turneun olimpik të tenisit në Lojërat Olimpike në Paris.

Swiatek fitoi me rezultatin 2:0 në sete, 6:2 dhe 7:5, ndaj Irina-Camela Begu në Roland Garros të shtunën. Swiatek është favorite për të triumfuar në Paris dhe e synon medaljen e artë. Ndeshja u zhvillua me çati të mbyllur për shkak të reshjeve të shiut.

Muaj më parë, 23-vjeçarja e fitoi për herë të tretë rresht turneun Grand Slam të tenisit “French Open”. Swiatek që është e para në ranglistën botërore, ka katër tituj në Paris dhe pesë tituj Grand Slam gjithsej. Kishte fituar edhe në “US Open” në vitin 2022.

Për polaken ky është turneu i tretë olimpik që merr pjesë.