1 perditesime
Metro

Protestë te “Faik Konica”, prindërit kërkojnë nisjen e mësimit, nxënësit: “S’jemi vlerë monetare”

Protestë te “Faik Konica”, prindërit kërkojnë nisjen e mësimit, nxënësit: “S’jemi vlerë monetare”
Foto: Alban Bujari/KOHA
12:08

Protestë te “Faik Konica”, prindërit kërkojnë nisjen e mësimit, nxënësit: “S’jemi vlerë monetare”

Është mbajtur protesta nga Këshilli i Prindërve i shkollës “Faik Konica” të hënën në Prishtinë, me kërkesën që të ndërpritet greva dhe të fillojë procesi mësimor.

Në oborrin e shkollës u mblodhën prindër të shumtë që kundërshtuan mbajtjen e grevës së nisur më 25 gusht.

Bashkë me prindërit në protestë kanë dalë edhe shumë nxënës. Ata mbanë pankarta me mbishkrimet "Nxënësit nuk janë vlerë monetare".

“Nuk e kemi kundër mësimdhënësve, por është java e katërt që s'po mbahet mësimi. Është e patolerueshme. Nuk kërkojmë fajtorë, kërkojmë zgjidhje”, deklaroi një protestues.

Një prind tjetër deklaroi se Qeveria duhet të bëjë çdo gjë që procesi mësimor të fillojë, duke shtuar se SBASHK-ut nuk duhet dhënë rëndësi.

“I isha lutur çdo mësuesi e arsimtari, që për hir të fëmijëve, t'ia vendosim pikën. E kuptoj se Qeveria i ka ato adutet e veta, por sindikatës më së paku duhet t'i japim rëndësi. Nuk jam që greva të vazhdojë, sepse u zgjat. Si prind do të bëj çdo gjë. Do t'i mobilizojë të gjithë kolegët e mi që janë në pension, të shkojnë pa pagesë të mbajnë mësim”, deklaroi ai.

Mësimdhënësit janë në grevë nga 25 gushti dhe ndër kërkesat kryesore të tyre është ndarja e 100 eurove shtesë në muaj deri në futjen në fuqi të Ligjit për pagat.

Disa shkolla tashmë kanë ndërprerë grevën në nivel vendi.

Image
08:53

Sot protestohet për mosmbajtje të mësimit në shkollën “Faik Konica”, në Prishtinë

Këshilli i Prindërve i Shkollës “Faik Konica” në Prishtinë, do të protestojë të hënën, në shenjë pakënaqësie ndaj mosmbajtjes së procesit mësimor.

Në njoftim, thuhet se protesta njëorëshe, do të nisë në orën 12:00, në oborrin e shkollës.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe e Kulturës (SBASHK) ka deklaruar se greva e nisur më 25 gusht, do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave. Kërkesë e SBASHK-ut, ndër të tjera, është ndarja e 100 eurove shtesë për mësimdhënësit në muaj, deri në miratimin e Ligjit të Pagave, derisa edhe gjatë së dielës kanë vijuar akuzat ndërmjet Qeverisë dhe sindikatës.

Kryeministri Albin Kurti i quajti “sindikalistë të PAN-it” udhëheqësit e SBASHK-ut, derisa kreu i sindikatës, Rrahman Jasharaj, tha se deklaratat e Kurtit janë bajate.

“Të gjitha ofertat tona për Këshillin Grevist dhe Sindikatën e Arsimit nuk kanë vlejtur, u refuzuan. Për të ardhur keq se si shkollimi në Kosovë po mbahet peng, për përshtypjen time të fuqishme, gjitha takimet që kam pasur, bëhet fjalë për një lloj inati anti-qeveritar. Kurs kundër Qeverisë së progresit e shpresës, prej sindikalistëve të PAN-it të cilëve iu ka ndaluar sahati më 5 qershor të vitit 2017. Aty u ka ngelur sahati sindikalistëve të PAN-it dhe duan t’i bëjnë shërbim PAN-it në opozitë, duke bërë grevën armë kundër Qeverisë”, ka thënë Kurti.

Sipas Jasharajt, Kurti po i fton sindikalistët në takime vetëm për t'u tallur me ata. /ksp