Arbëri

Kurti shpërndan libra në Podujevë, Jasharaj përplaset me kundërshtarët e grevës në Prishtinë

Vizita e kryetarit të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë nuk u prit mirë nga të gjithë prindërit dhe arsimtarët. Gjyshi i një nxënëseje të kësaj shkolle e quajti kryetarin e SBASHK-ut armik të arsimit, ndërsa dy mësimdhënëse të kësaj shkolle kërkuan që Sindikata të lëshojë pe në mënyrë që fëmijët t’i kthehen procesit mësimor. Por, kreu i SBASHK-ut ka thënë se greva do të vazhdojë për sa kohë që Qeveria nuk dialogon me sindikalistët. E kryeministri Kurti, i cili ka shpërndarë libra në një shkollë të Podujevës, ka bërë thirrje edhe një herë për hapjen e shkollave për nxënësit

Me tensione u zhvillua takimi i kryetarit të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, me grevistët, në shkollën fillore të mesme të ulët “Ismail Qemali” në Prishtinë. Musli Rexhepi, gjyshi i një nxënësi të kësaj shkolle, u konfrontua me grevistët, të cilët ai i akuzoi për shkatërrimin e arsimit dhe mohimin e shkollës për fëmijët. Rexhepi pas incidentit ka thënë se qëllimi i tij nuk ishte të sulmonte askënd, por vetëm dëshironte ta merrte fjalën në takim. Sipas tij, e drejta e fjalës iu mohua nga mësimdhënësit.

“Erdha të pyes se a po fillon mësimi apo jo. Aty e pashë armikun më të madh të nxënësve, askënd s’e ofendoj, por ai arsimin e ka marrë në dorë. Në qoftë se ka problem le të merret me qeveri jo me nxënësit”, ka thënë ai.

Në takimin e tensionuar erdhi edhe kërkesa për ndërprerjen e grevës. Dy mësimdhënëse të kësaj shkolle kërkuan që Sindikata të lëshojë pe në mënyrë që nxënësit të kthehen në bankat shkollore. Mësimdhënësja Festina Sijarina ka thënë se kërkesat e sindikalistëve janë legjitime. Ajo përmendi edhe kushtet e vështira në të cilat zhvillojnë procesin mësimor.

“Ne mbajmë mësimin edhe në bodrum, ku kushtet janë të vështira. Nuk ka asnjë dalje emergjente, që këto kushte rrezikojnë fëmijët tej mase”, ka thënë ajo. “Të lutem, zotëri kryetar, për hir të fëmijëve lësho pe! Ulu dhe bëhu më burrë sesa ata që të kanë fyer”, ka thënë mësimdhënësja.

Ndërsa mësimdhënësja Refiqe Hamiti i kërkoi Jasharajt që të punojë në kthimin e dinjitetit të komunitetit shkollor.

“Të lutem, ne jemi duke humbur dritën njerëzore, ju lutem merreni një guxim dhe bëhu më patriot se patriotët dhe kthena në banka shkollore. Kthena të dalim para nxënësve, kthena dinjitetin tonë!”, ka thënë ajo.

Kreu i SBASHK-ut ka thënë se greva ndërpritet kur Qeveria të pranojë të dialogojë me sindikalistët. Ai ka thënë se shpreson që presidentja e vendit, Vjosa Osmani, do ta bindë kryeministrin Albin Kurti që të pranojë kërkesat e tyre.

“Po u dorëzuam tani, dije që të zezat nuk kanë me u ndalë”, ka thënë Jasharaj. “Greva nuk mund të mbyllet nëse dy-tre individë mendojnë ndryshe. Mllefin duhet ta drejtoni te të tjerët, fajtori nuk është kryetari i SBASHK-u, as sindikatat e tjera, fajtor është ai që vendos kokë më vete për neve”.

Pas takimit mësimdhënësit protestuan para shkollës si shenjë proteste për incidentin që ua prishi takimin. Mirëpo, protesta u pengua nga gjyshi i një nxënëseje tjetër. Pensionisti i cili nuk pranoi të identifikohej kërkoi nga mësimdhënësit sqarim se pse nuk janë duke mbajtur procesin mësimor.

“Pse nuk jeni duke vazhduar mësimin. Kjo çka po bëni është si fashistët, ju u jeni bashkuar fashistëve. Kjo nuk është në rregull”, ka thënë i moshuari.

Kryetari i Shoqatës sindikale të shkollës, Naim Bytyqi, ka thënë se incidentet janë të nxitura nga personat që janë kundër mësimdhënësve.

“Sot është fushatë antishkollë e antimësimdhënësve. I përdorin njerëzit e stërlodhur, gjyshërit, të cilët duhet të kenë ditë të qetë në pension ashtu siç është e rregulluar jeta në këtë planet”, ka thënë Bytyqi.

Ndërkaq gjatë ditës së hënë kryeministri Albin Kurti ka vizituar shkollën “Enver Maloku” në Podujevë, ku së bashku me kryetarin e kësaj komune, Shpejtim Bulliqi, ua ndanë tekstet shkollore nxënësve të kësaj shkolle. Nga Podujeva, Kurti i ka bërë thirrje komunitetit shkollor që t’i hapë dyert e institucioneve arsimore.

“Do ta ndihmojmë sektorin publik e privat, por greva e bojkoti, si mënyra të skajshme, si mënyra ekstreme nuk janë zgjidhje as për fëmijët e as për mësimdhënësit. Na jena për arsimtarët, por arsimtarët duhet me qenë për fëmijët”, ka thënë ai.

E, Bulliqi ka deklaruar se ka indikacione që mësimi do të fillojë këtë javë.

“Jemi duke punuar me prindërit dhe mësimdhënësit në mënyrë që të jemi në proces të normalizimit të mësimit dhe besoj që brenda disa ditëve do të fillojë procesi mësimor. Nga këtu u bëjë thirrje të gjithëve që t’i kthehen procesit mësimor”, ka thënë Bulliqi.

Që nga 25 gushti punonjësit e sektorit publik, të cilëve u janë bashkuar edhe mësimdhënësit, janë në grevë të përgjithshme. Kërkesa kyç e sindikalistëve është ndarja e nga 100 eurove në muaj deri në miratimin e Ligjit për Paga. Të shtunën Qeveria njoftoi për ndarjen nga 50 euro për çdo muaj për punëtorët e sektorit publik. Por, sindikalistët këtë e kanë cilësuar si të pamjaftueshme.

Përveç kërkesës për 100 euro shtesë, grevistët po ashtu kërkojnë që të formohen grupet e përbashkëta Qeveri-Sindikatë për të punuar në Projektligjin e Pagave, i cili është në konsultime publike që nga mesi i gushtit. Sipas Projektligjit, për mësimdhënësit në shkollat fillore, të cilët marrin pagë mujore 470 euro, me vlerë monetare të koeficientit 120, ajo rritet në 672 euro. Ndërkaq për ata të shkollës së mesme të lartë paga do të rritet në 696 euro.