Dyert e shumë institucioneve të arsimit parauniversitar nuk do të hapen as këtë të hënë, për shkak të grevës që mësimdhënësit kanë hyrë tash e disa javë. Sinjale për ndërprerje të grevës nuk ka dhënë Sindikata e Bashkuar e Arsimit. E për këtë prindërit janë mobilizuar për mbrojtjen e së drejtës kushtetuese të fëmijëve për arsim. Ndërkaq njohësit e arsimit kanë thënë se greva do të thellojë rezultatet e dobëta të nxënësve.
Edhe këtë të hënë bankat shkollore nuk do të shfrytëzohen nga nxënësit.
Kjo, pasi sinjale për ndërprerje të grevës nuk kanë dhënë në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit.
Përqeshje e linçime ndaj tyre i kanë quajtur grevistët deklaratat e shefit të ekzekutiv, Albin Kurtit.
Sipas tyre, Kurti është i interesuar të debatojë dhe jo të gjejë zgjidhje.
“Ky realitet dëshmon se greva kishte edhe në Qeveritë e kaluara në Kosovën e pasluftës, por kurrë nuk kishte goditje të ulëta e të turrit të militantëve partiakë me sharje, përbuzje e linçime siç po ndodh tani e sa kohë nga Qeveria e tellallët e saj. Qeveria Kurti nuk do dialog e zgjidhje të kërkesave të grevistëve, kërkesa këto të prezantuara e të mohuara e të injoruara tani e sa muaj”, ka thënë kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.
Një takim gjatë javës ndërmjet Qeverisë dhe Këshillit të Grevistëve nuk dha rezultate pozitive.
E humbja e mbi 700 mijë orëve mësimore i ka mobilizuar prindërit që të aktivizohen në mbrojtjen e të drejtave kushtetuese të fëmijëve të tyre. Në Pejë është paralajmëruar për të hënën një marsh me kërkesën për kthimin e fëmijëve në banka shkollore.
"Në këtë situatë e drejta kushtetuese për arsim po shkelet rëndë, ne vazhdimisht e kemi thënë se greva e plotë në sistemin arsimor parauniversitar është e kundërligjshme, ngase Kushtetuta në bazë të së cilës arsimi është e drejtë themelore e çdo qytetari në Kosovë është në fillim të piramidës të legjislacionit”, ka thënë Salie Osmankaq nga Këshilli i Prindërve të Kosovës.
Në vlerësimet vendore dhe ndërkombëtare nxënësit kosovarë ndër vite kanë shënuar rezultate të dobëta.
Greva po vlerësohet se do të thellojë rezultatet e dobëta në mësimnxënie.
“Unë jua rikujtoj të gjithëve që entuziasti i shtatorit është që kthen një produktivitet të lartë në shkollat tona. Në mungesë të kësaj, për shkak të grevës e kam përshtypjen që i tërë procesi mësimor do të afektohet ndaj kësaj situate”, ka thënë Rinor Qehaja, drejtor në institutin “EdGuard”.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, të dielën u ka bërë sërish thirrje mësimdhënësve që të nisin procesin mësimor.
Disa mësimdhënës e shkolla kanë hapur dyert e tyre për nxënësit. Gjatë javës gjashtë shkolla në Gjakovë filluan procesin mësimor. Të hënën këtyre do t’iu bashkohet edhe gjimnazi “Hivzi Sulejmani” në Fushë-Kosovë.
Që nga 25 gushti, mësimdhënësit janë në grevë të përgjithshme. Kërkesa kyç e tyre është ndarja e nga 100 eurove në muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për paga.