“Jau shoh shumë për të madhe dhe të panjerëzishme, të gjithë atyre që punojnë në arsim, e çohen për 100 euro dhe fëmija mbesin në rrugë”.
Gjysh i tre nxënësve që kanë mbetur larg bankave shkollore, Avdi Gjonbalaj, kërkoi bashkë me pensionistët e tjerë që të ndërpritet greva.
Ata u bënë thirrje të gjithë gjyshërve të tjerë që t’i dërgojnë fëmijët në shkollë.
Për mobilizim në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve për arsimim, ka bërë thirrje edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës.
Këshilli kërkon nga prindërit që t’i marrin tekstet shkollore në institucionet arsimore dhe të realizojnë mësimin në distancë.
Prindërit të hënën në Prishtinë i morën librat e fëmijëve vetëm në shkollat të cilat janë në rinovim.
Në orën tetë të mëngjesit, kur ekipi i KOHËS qëndroi në oborrin e shkollës “Faik Konica”, përveç mungesës së pranisë së mësimdhënësve në objekt, nuk pati as prindër për t’u furnizuar me tekste shkollore.
E në shkollën “Emin Duraku” në kryeqytet, theksuan se janë të gatshëm t’i shpërndajnë librat te nxënësit, nëse prindërit kërkojnë.
“Në qoftë se vijnë t'i kërkojnë për t’i shfletuar materialet në shtëpi, ne mund t'ua japim, por deri më sot nuk kemi pasur kërkesa të tilla”, tha drejtori i shkollës “Emin Duraku”, Visar Osmani.
Radikalizim të veprimeve brenda kësaj jave kanë paralajmëruar në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit.
“Tash anëtarësia është duke kërkuar radikalizim të veprimeve, krahas grevës edhe protesta, por po urojmë që do të ulemi dhe të bisedojmë që të mos çohemi në protestë”, tha Zenun Nimani nga SBASHK-u.
Për shkeljen e të drejtës kushtetuese të 320 mijë nxënësve, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut u ka bërë thirrje Qeverisë dhe SBASHK-ut të diskutojnë për të gjetur në zgjidhje.