Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nis punën blloku B1, e me të edhe ngrohja qendrore për Prishtinën

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se pas sanimit të rrjedhjes në kaldajë njësia B1 e Termocentralit Kosova B është lëshuar në punë.

Sipas njoftimit, si rrjedhojë, sot në mëngjes, në ora 08:10, Termokosi ka filluar të furnizohet me energji termike (avullin) nga Kosova B për ngrohje qendrore të qytetit të Prishtinës.

“Në KEK aktualisht janë në punë të tri njësitë aktive të Kosovës A (A3,A4 dhe A5) dhe njësia B1 në Kosovën B me kapacitet të prodhimit prej rreth 650 MW/h. energji elektrike. Duke falënderuar punëtorët për angazhimin e vazhdueshëm si dhe palët e përfshira për mirëkuptim dhe bashkëpunim, KEK vazhdon me përpjekjet maksimale për prodhim të qëndrueshëm me energji elektrike dhe termike në kushtet aktuale të krizës sezonale dhe globale energjetike”, thuhet në njoftim.

Korporata Energjetike e Kosovës gjatë ditës së mërkurë ka njoftuar se deri sot nuk do të krijohen kushtet për furnizimin e Termokosit me avull për ngrohje qendrore, çka bëri që dje të ndërpritet ngrohja në Kryeqytet nga Termokosi. KEK-u ka thënë se problemi ka qëndruar në njërën njësi të termocentralit Kosova B. Edhe sot në mengjes ngrohja ka vazhduar me mazut nga Termokosi.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ndërkaq NP “Termokos” ka njoftuar se  në orët e hershme të mëngjesit kanë filluar të marrin avullin nga KEK-u, si rrjedhojë tashmë ka filluar edhe prodhimi i energjisë termike.

“Kjo do të mundësojë vazhdimin e furnizimit me ngrohje të mjaftueshme, gjë që nënkupton ndërprerjen e furnizimit nëpërmes kaldajave me mazut. Deri në orët e mesditës së sotme pritet stabilizim i plotë i furnizimit me ngrohje të mjaftueshme dhe cilësore për të gjithë konsumatorët tanë”, thuhet në njoftim.