1 perditesime
Metro

Tri lagje në Prishtinë vazhdojnë të mbesin në terr

Tri lagje në Prishtinë vazhdojnë të mbesin në terr
Foto: Ilustrim
19:29

Tri lagje në Prishtinë vazhdojnë të mbesin në terr

Lagja e Bregut të Diellit, një pjesë e Mati 1 dhe e Velanisë, po vazhdojnë të jenë pa furnizim me energji elektrike. Këtë e kanë bërë te ditur përmes një komunikate KEDS-i dhe KOSTT-i, ku thonë se punimet, që kanë filluar që nga e premtja, janë duke vazhduar.

“Me kapacitete dhe përkushtim të plotë, ekipet e KOSTT të mbështetur nga ekipet e KEDS po vazhdojnë me punë intenzive në Nënstacionin 110/10 kV Prishtina 2 duke larguar kabllot e dëmtuara, pastrimin e kanaleve si dhe shtrirjen dhe montimin e 12 kabllove të reja për të mundësuar kyçjen e transformatorit TR3”, thuhet në komunikatë.

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti në Facebook ka shkruar kabllot e KOSTT-it që furnizojnë trafot e KEDS-it janë djegur.

“Edhe një herë kabllot e KOSTT që furnizojnë trafot e KEDS janë djegur”, ka shkruar ai në Facebook.

Ahmeti tha se nga biseda e fundit, u premtua se problemi atje do të rregullohej brenda dy orësh, ndërsa KEDS po asiston KOSTT-in për t’i rregulluar kabllot e djegura.

Ai ka sqaruar edhe përgjegjësitë e KEDS-it dhe KOSTT-it.

“KOSTT është kompani publike e nivelit qëndror dhe ka përgjegjësinë e përçimit të rrymës prej KEK deri te KEDS, pra tensionin e lartë. KEDS është kompani private dhe blen rrymë nga KEK dhe importues dhe pastaj e paguan KOSTT për kalimin e rrymës nëpër rrjetin e tyre deri te trafo. Pastaj na e sjell në shtëpitë tona dhe na e shet”, ka shkruar Ahmeti.

Ahmeti thotë se pas përfundimit të kësaj krize, do të kuptohet në detaje prishja.

15:18

KOSTT-i njofton për punime në rrjet në kryeqytet

KEDS-i ka njoftuar se ekipet e mirëmbajtjes së KOSTT-it nga ora 13:00 kanë filluar realizimin e intervenimit në nënstacionin 110/10 kV Prishtina 2.

Kjo sipas njoftimit, për të eliminuar prishjen e paraqitur në ditën e shtunë në kabllot 10 kV të transformatorit TR 3.

“Aktualisht ekipet e KOSTT të mbështetur dhe nga ekipet e KEDS po punojnë intenzivisht për eliminimin e defektit në mënyrë që të stabilizohet sa më shpejtë furnizimi me energji elektrike për qytetarët e komunës së Prishtinës që janë prekur nga kjo prishje. Aktualisht furnizimi i konsumatorëve me energji elektrike nga transformatori TR1 (27 MW) në Nënstacionin 110/10 kV Prishtina 2 po vazhdon, derisa konsumatorët që furnizohen nga transformatori TR 3 apo 16 MW aktualisht janë pa furnizim me energji elektrike”, thuhet në njoftim.

Por nuk është njoftuar se kur do të rikthehet furnizimi me energji elektrike.

Sot gjatë ditës ka pasur raportime nga qytetarë për mungesë të energjisë elektrike në disa lagje të kryeqytetit, veçanërisht në “Kodrën e Diellit” dhe në “Mat”.