Njëra prej sportisteve më të mira shqiptare në histori, Nora Gjakova, ka shpallur kandidaturë për një pozitë të rëndësishme në Federatën Ndërkombëtare të Xhudos (IJF).
Kampionia olimpike, Gjakova, ka paraqitur kandidaturë për vend në Komisionin e Sportistëve të IJF-së. Nora Gjakova është kandidate zyrtare e Federatës së Xhudos së Kosovës për vend në këtë komision.
Gara për vend në Komisionin e Sportistëve të IJF-së vlerësohet shumë e fortë. Xhudistë me nam konkurrojnë për të prezantuar sportistët, ndërsa lobimi është i madh dhe për kohë të gjatë.
Mandati i këtij komisioni është katërvjeçar, sa edhe cikli olimpik. Aktualisht drejtuese e komisionit është austriakja Sabrina Filzmoser.
Vetë xhudistët vendosin për pesë anëtarë të komisionit, ndërsa katër të tjerë zgjedhen nga IJF-ja. Secili kontinent i madh e ka nga një përfaqësuese në komision. Për përfaqësuese të Evropës konkurrenca është më e madhja dhe rrjedhimisht Norën e pret garë e fortë.
Ajo ka fituar medalje të artë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, të mbajtura në vitin 2021 për shkak të pandemisë. Ka edhe medalje të bronztë botërore dhe shumë medalje të arta dhe medalje të tjera evropiane. Për kohë të gjatë ishte prej xhudisteve më të mira në botë në kategorinë deri 57 kilogramë. Nora është paraqitur në tri edicione të Lojërave Olimpike, përvojë që vlerësohet shumë e rëndësishme.
Ajo garoi së fundi në Grand Slamin e Parisit më 1 shkurt dhe fitoi medalje të bronztë. Nuk pritet të garojë më.
Komisioni i Sportistëve në IJF vlerësohet i rëndësishëm për të mbrojtur interesat e xhudistëve. Paraqet edhe urë lidhëse mes xhudistëve dhe drejtuesve të IJF-së, organizatë në të cilën Kosova vlerësohet lartë.
“Nora e ka përfaqësuar me krenari Kosovën në tri edicione të Lojërave Olimpike, duke qenë gjithmonë shembull frymëzimi brenda dhe jashtë tatamit. Tani, ajo është e gatshme të përfaqësojë zërat e sportistëve në skenën globale, duke sjellë përvojën, integritetin dhe pasionin e saj për xhudon në zemër të vendimmarrjes”, shkruan në njoftimin e Federatës kosovare të xhudos.
Zgjedhjet për komision do të mbahen gjatë Botërorit që zhvillohet këtë javë në Budapest. Xhudistët e akredituar për Botëror marrin pjesë në zgjedhje.
Federata kosovare tashmë ka përfaqësim goxha serioz në nivelet e larta të xhudos botërore. Kryetari i federatës kosovare, Agron Kuka, është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Unionit Evropian të Xhudos. Trajneri i Kosovës, kryemjeshtri Driton Kuka, është pjesë e komisionit të trajnerëve të Unionit Evropian dhe po ashtu pjesë e një grupi shumë të vogël ekspertësh të IJF-së që vendos çdo cikël olimpik për ndryshimet dhe modifikimet e sportit të xhudos.