Luftarake

Shtatë prej sukseseve më të mëdha në karrierën e mahnitshme të Norës

Nora Gjakova

E arta olimpike është e pakonkurrencë.

Por të veçohen sukseset e tjera më të mëdha në karrierën e Nora Gjakovës është jo e lehtë. Medalje të shumta botërore, evropiane, në Masters, Grand Slam e Granit Prix e bëjnë karrierën e Nora Gjakovës shumë të pasur.

Në ditën e fundit të vitit 2025, Nora njoftoi për përfundimin e karrierës si xhudiste. Trashëgimia e saj është mahnitëse. Vepra sportive dhe në shërbim të promovimit të vendit po ashtu. 

Nora është prej sportisteve shqiptare më të mira në histori. Dhe prej xhudisteve më të suksesshme evropiane të dekadës së fundit.

Por cilat janë sukseset më të mëdha të xhudistes pejane? 

Kufizimi në pesë sukseset më të mëdha doli të mos jetë mjaftueshëm gjithëpërfshirës. Dhe KOHA, në konsultim me Norën, ka përzgjedhur shtatë momentet kryesore në karrierën e saj, sa u takon garave.
Renditja e shtatë sukseseve është kalendarike.

Rezultati që shënoi histori

Edicioni i parë i Lojërave Evropiane u mbajt në vitin 2015 në Baku të Azerbajxhanit. Edicioni i parë i ngjarjes që u mendua si Olimpiadë evropiane është edhe më i miri i deritashëm.

Dhe premiera e Lojërave Evropiane ishte edhe ngjarja e parë shumësportëshe e Kosovës. Kosova ishte pranuar në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar një vit më herët, ndërsa shpresat për sukses në Baku ishin te xhudoja.

Xhudistët e kryemjeshtrit Driton Kuka nuk dëshpëruan.

Nora Gjakova fitoi medalje të bronztë në kategorinë deri 57 kilogramë, duke bërë që ngjarja debutuese të jetë “tregim suksesi” për Kosovën.  

Festa ishte e madhe në ekipin e Kosovës, pasi Nora siguroi vend në podium. Ishte shenjë për atë që po vinte, përkatësisht për sukseset kulmore të xhudisteve kosovare në ngjarjet shumësportëshe.

Gara e xhudos në Lojëra Evropiane ka shërbyer edhe si Kampionat Evropian për të rritur në xhudo. Kështu Nora siguroi dy medalje të vlefshme me një garë.

“Deri në ato Lojëra Evropiane sukseset për të rritura më janë dukur të paarritshme. Kam ushtruar shumë, por është krejt ndryshe kur këtë e dëshmon me rezultat. Në këtë garë doli në pah karakteri dhe puna. Kur të gjithë sytë ishin kah xhudoja, unë kam performuar mirë, ndonëse ishte prezent presioni nga pritjet e mëdha. Ishte si fillim i një karriere të suksesshme dhe forcë që të vazhdoj me punë edhe më të madhe. Për Kosovën ishte hap i madh, debutim shumë i suksesshëm në gara ndërkombëtare. Ishte dhe mbetet medalje historike”, thotë Nora Gjakova.

E para në Evropë

Në Kampionate Evropiane, Nora gjithnjë ka shfaqur nivelin e vërtetë. Por shkëlqimin më të madh e kishte në Evropianin që në vitin 2018 u mbajt në Tel-Aviv të Izraelit. E fitoi medaljen e artë. U shpall kampione e Evropës në kategorinë deri 57 kilogramë.

Në finale Nora e mposhti gjermanen Theresa Stoll.

“Kisha disa medalje të bronzta evropiane, që natyrisht janë sukses i madh. Por dëshira për të artën rritej gjithnjë. Gjithnjë përgatitesha për të artën dhe kisha nevojë për titullin e kampionit të Evropës. Në Tel-Aviv isha e përgatitur si asnjëherë më parë. Për më tepër, kisha edhe përvojën dhe vetëbesimin e duhur. Ishte vit në të cilin fitova thuajse vetëm të arta dhe kjo më ndihmoi që të jem në majë të podiumit në Kampionat Evropian”, thotë Nora.

Mastersi

Mastersi është gara kryesore në xhudo, pa llogaritur Lojërat Olimpike e Botërorin. Në vitin 2018, Mastersi u mbajt në Guangzhou të Kinës, në mes të dhjetorit. Dhe Nora fitoi medalje argjendi.


“Ishte viti në të cilin jam rritur më së shumti si sportiste. Në Masters, ku marrin pjesë vetëm 16 më të mirët nëpër kategori, e fitova medaljen e argjendtë. Mastersi ishte mbajtur në një vend të largët, në Kinë, dhe kjo natyrisht ka specifikat e veta. Por isha në moment të mirë dhe kjo më solli medaljen e argjendtë në Masters, që natyrisht ka peshë shumë të madhe në botën e xhudos”, tregon Nora Gjakova.

E dyta në Lojëra Evropiane

Edicioni i dytë i Lojërave Evropiane u mbajt në Minsk të Bjellorusisë në vitin 2019. Sërish ngjarja ishte Kampionat Evropian i xhudos për të rritur.

Sërish Nora arriti sukses që u vlerësua dyfish, me dy medalje. Në Minsk medalja ishte e argjendtit. 
Në edicionin e tretë të Lojërave Evropiane xhudoja elitare nuk ishte në program. Befasi apo jo, Kosova mbeti pa medalje në Poloni në vitin 2023.  

E treta në botë

Se suksesi i madh do të vinte në vitin 2021, Nora dha shenja në disa gara rresht. Në Mastersin e Dohas më 11 janar 2021 fitoi të bronztën.

Më 26 mars 2021 fitoi të artën në Grand Slamin në Tbilisi. Më 16 prill 2021, fitoi të bronztën në Evropian.

Ishte radha e Kampionatit Botëror, që u mbajt në fillim të qershorit në Hungari. Atje, Nora fitoi medaljen e bronztë. Ishte e para për të në ngjarjen globale.

“Medalja botërore ndoshta erdhi pak vonë, nëse merret për bazë që tri herë isha e shtata, kurse nëntë herë mora pjesë në Kampionate Botërore. Por jo çdo sportist arrin të fitojë medalje në ngjarjet e mëdha, e sidomos në Kampionat Botëror. Suksesi asnjëherë nuk është i garantuar. Unë kam besuar gjithnjë, kam pasur durim dhe kam punuar shumë. Për Botërorin në vitin 2021, pjesëmarrja më shumë ishte një lloj testimi që në ekipin tonë e praktikojmë para Lojërave Olimpike. Toni na tha që mos të ndikohemi nga rezultati në këtë garë sepse qëllimi është diku tjetër. Madje na tha që nëse mendojmë se pjesëmarrja ndikon për të keq, të mos garojmë fare në atë Botëror.  Unë megjithatë vendosa që të garoj. Gjithçka shkoi mbarë, ndonëse nuk isha sa duhet e pushueshme. Por mendja më punoi shumë mirë. Taktikisht isha e përgatitur për çdo garuese. Dhe fitova medaljen e bronztë. E mora aq seriozisht që ky rezultat nuk duhej të kishte ndikim, sa që e përmbajta veten nga emocionet e medaljes së parë botërore. I thash vetes edhe disa muaj durim e më pas do të shijosh çdo fitore. Nuk lejoja të më kënaqte ai rezultat”, tregon Nora.

Medalja më e vlefshme e mundshme

Nora e mbajti fokusin. Medalja botërore ishte tjetër tregues për atë që po vinte – për medaljen e artë olimpike.

Është medalja më e vlefshme e mundshme në sport.

Ishte 26 korriku i vitit 2021, kur Nora Gjakova e shkroi me shkronja të arta emrin e saj në historinë e sportit shqiptar por edhe në histori të shtetit të Kosovës.

Në arenën “Nippon Budokan” në Tokio, ajo e fitoi të artën olimpike në 57 kilogramë.
Në finale fitoi ndaj francezes Sarah-Leonie Cysique. Në gjysmëfinale e kaloi japonezen Yoshida Tsukasa. Mposhti edhe xhudiste nga vende të tjera.

“Rrugëtimi drejt të artës olimpike është pasqyrë e karakterit tim”, thotë Nora.
“Unë kam nevojë ta shoh veten duke u rritur para se të besoj se mund të arrijë diçka të madhe”, vazhdon ajo.

E arta olimpike erdhi pas sukseseve në të gjitha ngjarjet tjera të mëdha. Dhe suksesi më i madh erdhi disi si me radhë. Me plan.

“Me medaljet evropiane fitova besimin. Medalja botërore ishte një lloj vule që jam në rrugën e duhur. Ishte një shpresë drejt ëndrrës. Duke lëvizur shkallë pas shkalle, natyrisht gjithnjë e më lart, arrita tek e arta olimpike. Ishte kulmi i një rruge të bërë me shumë durim”, thotë Nora.
Për sukses në Olimpiadë është e nevojshme që shumë gjëra të përshtaten. Këtë e di mirë pejania.
“Atë ditë trupi dhe mendja më punonin si orë. Isha e qetë dhe e fokusuar maksimalisht. Mendimet ishin vetëm pozitive. Këtë version të vetes nuk e kisha përjetuar asnjëherë më parë. Është e pashpjegueshme forca që kisha brenda vetes. Nuk ishte forcë e momentit, por forcë e akumuluar për shumë vjet. Forcë e fituar nga sakrifica, humbjet dhe fitoret. Isha e qetë pasi besoja në punën që e kishim bërë së bashku me Tonin. Prej emocioneve para luftërave e deri te kurorëzimi me të artën, janë momentet e mia më të lumtura”, tregohet emocionale Nora.

Kapitulli i fundit

Pasuan të tjera gara, të tjera medalje. E fundit ishte në fillim të shkurtit të vitit të kaluar. Në Grand Slamin e Parisit, Nora fitoi medalje të bronztë. E vlerëson prej më të rëndësishmëve, pasi për të ishte me rëndësi të përshëndetej si fituese. Të përshëndetej me medalje. Nga podiumi.

Atë medalje e bën edhe më të vlefshme fakti se u fitua nga Nora në kategori tjetër, atë deri në 63 kilogramë. Ndërrimi i kategorisë është gjithnjë shumë sfidues në xhudo.

Nora më nuk do të garojë. Por do të jetë në xhudo. 

E si mund të shkëputet nga sporti ku arriti kulmin dhe përmes të cilit bëri krenar një popull të tërë?

Ajo tani punon si trajnere në ekipin e kryemjeshtrit Driton Kuka. Ka mision tjetër – të zbulojë e të rrisë xhudistë që do të vazhdojnë të bëjnë krenarë shqiptarët.