Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar boksieren Donjeta Sadiku dhe trajneren Mariola Sallauka për medaljen e artë të fituar në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.
Donjeta në finale të enjten mposhti boksieren ruse me shtetësi të Serbisë, Kristina Kuluhova.
“Sapo morëm një lajm të jashtëzakonshëm nga Lojërat Mesdhetare ‘Taranto 2026’. Boksierja jonë, Donjeta Sadiku, ka siguruar medaljen e parë të artë për Kosovën në Lojërat Mesdhetare që po mbahen në Taranto të Italisë. Ajo ka triumfuar në finale ndaj ruses Kristina Kuluhova, e cila garoi për Serbinë. Ky është një sukses i madh për Donjetën, për ekipin tonë që ndodhet në Taranto, për boksin dhe për gjithë sportin e Kosovës. Donjetës dhe trajneres Mariola Sallauka urime për këtë fitore të madhe!” – ka shkruar Kurti në Facebook.
E presidentja në detyrë Albulena Haxhiu po ashtu ka uruar Donjetën dhe trajneren e saj.
"Donjeta e artë. Donjeta Sadiku ia doli. Në ringun e Tarantos, përballë Kristina Kuluhovës, ajo luftoi me vendosmëri deri në fund dhe e fitoi finalen. Medalja e artë shkon për Kosovën. Kjo është fitorja e Donjetës. E fitoi me punë, disiplinë dhe karakter. Në momentin vendimtar, ajo ishte më e fortë dhe më e qartë në ring. Pas këtij suksesi në Lojërat Mesdhetare bashkë me të është edhe trajnerja Mariola Sallauka. Ajo ka qenë pranë Donjetës në çdo stërvitje, në çdo vështirësi dhe në çdo hap të rrugës drejt këtij triumfi. Urime nga zemra Donjetës dhe Mariolës!" - ka shkruar Haxhiu.