Luftarake

E bronzta e Ademit, “shpërblimi” i Evropianit në Prishtinë

Bleron Ademi

Bleron Ademi e ka fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian U21 të taekwondos, që u mbajt në Prishtinë.

Ademi, medaljen e bronztë e fitoi të dielën në kategorinë deri 58 kilogramë.

Taekwondisti kosovar pati katër luftëra, ndërsa i fitoi tri prej tyre. U mposht në gjysmëfinale nga taekwondisti turk Yusuf Badem.

Ademi është krenar me medaljen e fituar. Megjithatë, thotë se synimi i tij ishte medalja e artë.
Në Evropianin për grupmoshën U21 pjesëmarrës ishin mbi 500 taewkondistë. Në Evropianin në Prishtinë nuk morën pjesë garues nga Serbia, por kishte shumë shtete pjesëmarrëse që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Ishin edhe taekwondistët nga Rusia, Ukraina, Rumania, Greqia, Spanja, Sllovakia, Qiproja, Moldavia, Bosnjë-Hercegovina. Garuesit rusë u paraqitën me flamurin e Unionit Evropian të Tawkondos.

“Jam shumë krenar. Ka qenë një vit i vështirë për mua pa fituar medalje në asnjë garë dhe më në fund këtu, në vendin tonë, sigurova të bronztën pas katër luftërave. Do të doja të ishte medalje e artë, por në fund fitova të bronztën”, ka thënë Ademi për KOHËN. Ai jeton në Suedi.

Rrugëtimin drejt podiumit, Ademi e nisi me fitore ndaj garuesit nga Ukraina, Vladyslav Maikov. Në luftën e dytë mposhti grekun, Gregorios Iliopoulos, kurse në çerekfinale eliminoi garuesin nga Rusia, Magomedgadzhi Magomedov. 

“Ky është vetëm fillimi. I kam 20 vjet. Tash kthehem në Suedi pak pushim dhe pastaj menjëherë pas vitit të ri nuk do të ndalem në suksese edhe më të mëdha për Kosovën”, është shprehur Ademi.

Bleron Ademi vjet fitoi medalje të argjendtë në Kampionatin EvropianU21. Ende është medalja më e madhe për taekwondon kosovare.

Kosova pati edhe garues të tjerë në Evropianin që u zhvillua në palestrën “1 Tetori”. Por vetëm Ademi arriti të ngjitet në podium. 

Në taekowondo ndahen dy medalje të bronzta. 

Në Federatën e Taekwondos së Kosovës janë të kënaqur me pjesëmarrjen dhe organizimin e Evropianit. Po ashtu e kanë cilësuar të suksesshme edhe paraqitjen, falë medaljes së fituar nga Ademi.