Donjeta Sadiku u vendos në qendër të ringut. Mbylli sytë dhe po priste vendimin e gjyqtarëve.
Kur emri i saj u thirr si fituese e luftës finale të turneut “Strangja” në Sofje të Bullgarisë, boksierja kosovare nisi festën. Ajo u shfaq e emocionuar pas fitores në finale ndaj boksieres nga Brazili, Rebeca De Santos.
Edhe më e emocionuar u shfaq kur u intonua himni i Kosovës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoRebeca Santos është kampione në fuqi e botës. Të artën botërore e fitoi vjet në Liverpool. Në atë ngjarje, Donjeta u ndal në meçin e parë nga Viktorya Grafeyeva e Kazakistanit. Ndaj kazakes, braziliania fitoi në gjysmëfinale.
Finalja e së dielës ishte e fortë dhe e hapur deri në fund. Donjeta fitoi me vendim të ndarë të gjyqtarëve. Tre gjyqtarë e vlerësuan fituese boksieren kosovare, ndërsa dy të tjerë brazilianen.
Donjeta Sadiku garoi në kategorinë deri 60 kilogramë. Ajo e siguroi finalen pas fitores ndaj egjiptianes Ayyad Yomna. Në kryeqendrën bullgare i kishte edhe dy fitore të tjera.
E mposhti edhe çeken Barbora Maxova dhe ukrainasen Veronika Korets.
“Kjo është medalja e dytë e artë nga turneu prestigjioz dhe më të vjetrin në Evropë ‘Strangja’. Më bën të ndihem krenare dhe e lumtur pas paraqitjes shumë të mirë që kam treguar e sidomos në finale kundër kampiones së botës. Kjo tregon që jam e gatshme për sfidat e radhës dhe synimi im kryesor mbetet Kampionati Evropian dhe Lojërat Mesdhetare në të cilat besoj se do të stolisem me medalje të artë”, ka thënë Donjeta për KOHËN.
Vjet ajo e fitoi po ashtu të artën në turneun prestigjioz të boksit amator “Strangja”.
Në Sofje të Bullgarisë kanë boksuar edhe Shpëtim Bajoku e Taulant Jakupi. Të dy u ndalën në luftërat e para. Bajoku garoi në kategorinë deri 70 kilogramë dhe u mposht nga boksieri i Gjermanisë, Randy Botikali.
Ndërkohë Jakupi boksoi në kategorinë deri në 90 kilogramë dhe pësoi nga boksieri i Italisë, Dean Nëokedi.
Në “Strangja” garuan mbi 300 boksierë. Dhe falë Donjeta Sadikut u ngrit lart flamuri i Kosovës.
Në kategorinë e Donjeta Sadikut garuan 19 boksiere. Ky ishte edicioni i 77-të i “Strangja”, që është turneu më i vjetër në Evropë.
“Jam e kënaqur me këtë medalje të artë të siguruar nga Donjeta në turneun më të vjetër në Evropë që u zhvillua në Sofje të Bullgarisë. Kjo paraqitje e Donjetës tregon që është në formë shumë të mirë dhe në rrugë të mbarë për garat më të rëndësishme të cilat na presin këtë vit”, ka theksuar trajnerja Marjola Sallauka.
Për Donjetën viti 2022 është më i suksesshmi në karrierë. Ajo fitoi medalje të bronztë evropiane e botërore.
Sadiku ka marrë pjesë edhe në dy Olimpiadat e kaluara, por mbeti pa medalje. Ka shpresë se do të kualifikohet edhe për “Los Angeles 2028”. Dhe medalja olimpike mbetet synimi i madh i saj.