Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ LDK-ja premton zbutje të papunësisë në Mitrovicë e subvencione për bizneset që punësojnë gra në Ferizaj

Kandidati i LDK-së për kryetar të Mitrovicës, Armend Agolli, të dielën ka shpalosur programin e tij qeverisës, ku si një ndër shtyllat kryesore ka radhitur zbutjen e papunësisë. E për bizneset që do të punësojnë gra, kandidatja për Ferizajn ka premtuar subvencione. Kandidatët e kësaj partie kanë dhënë edhe premtime të tjera për ndërtim shkollash e për mbështetje të bujqve

Prishtinë, 3 tetor - Pretenduesi për të parin e Mitrovicës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Agolli, të dielën ka shpalosur programin e tij qeverisës për mandatin që synon. Agolli ka thënë se programi i tij ka katër shtylla prioritare: përmirësim të shërbimeve publike, zbutje të papunësisë dhe avancim në arsim e shëndetësi.

Ai ka thënë se në fushën e shëndetësisë, ku është vetë profesionist, do ta rrisë kualitetin, do të modernizojë infrastrukturën e do të digjitalizojë shërbimet shëndetësore. Ka thënë se vetes ia ka vendosur si synim edhe menaxhimin e pandemisë. Duke iu referuar ftesës së LDK-së për kandidimin e tij, Agolli ka thënë se kjo nuk është hera e parë që u përgjigjet pozitivisht thirrjeve për ndihmë ndaj shtetit. “Njëherë e bëra në kohë lufte kur mendoj që Kosovës i dola hak, njëherë tjetër në periudhën e pasluftës kur investova potencialin tim profesional për ngritjen e institucioneve shëndetësore në Kosovë, dhe kjo tash është hera e tretë”, ka thënë ai.

Në Ferizaj, kandidatja për kryetare, Sibel Halimi, është zotuar për fuqizim ekonomik dhe punësim të grave. Ajo ka thënë se bizneset që udhëhiqen nga gratë do ta kenë mbështetjen e plotë të Komunës, ndërsa prioritet në subvencione do të kenë bizneset që punësojnë gra.

“Bursa për nxënëset, praktika në sektorin publik e privat dhe transporti pa pagesë do të jenë shtytje që vajzat të mos e braktisin shkollimin. Financimi i strehimoreve, angazhimi i psikologëve e punëtorëve socialë në institucionet arsimore e në qendrat sociale do të jenë masa urgjente që do të ndërmarrim në parandalimin e dhunës në familje”, ka thënë Halimi.

Kandidati për Gjilanin, Lutfi Haziri, ka mbajtur një tubim me 53 persona, për të cilin ka thënë se është organizuar në formatin 50 persona sipas rregullave anti-COVID-19. Aty Haziri ka premtuar se në bashkëpunim me Bankën Botërore do ta realizojnë programin për ujitjen e tokave bujqësore. Ndërtimin e pendave dhe kanaleve të ujitjes së tokës bujqësore e ka premtuar edhe kandidati për Gjakovën nga kjo parti, Teki Shala, pas një takimi me banorët e fshatit Ponoshec. Në këtë fshat Shala është zotuar edhe për ndërtimin e një shkolle fillore.

Kandidati për Prizrenin, Anton Quni, ka vazhduar takimet me qytetarë në disa fshatra. Në Korishë ai ka dhënë disa premtime, derisa ka thënë se ata që nuk kanë punuar për këtë fshat do të ndëshkohen me votë ditën e zgjedhjeve, më 17 tetor.

“Edhe një herë u zotova se gjatë mandatit tim do ta përfundojmë rregullimin e shtratit të lumit të fshatit, rregullimin e rrugës Korishë- Grikoc, zgjerimin e rrjetit të kanalizimit për ato biznese e familje që nuk janë të kyçura si dhe rregullimin e rrugës për Kabash e shtratin e Përroit te Lagjja e Zekajve”, ka thënë Quni.

Për kandidatin e LDK-së në Fushë Kosovë, Burim Berisha, sporti do të jetë një nga prioritetet. Ai ka thënë se edhe gjatë mandatit të tij si kryetar ka investuar në salla, fusha sportive dhe në përkrahje të sportistëve.

“Synimi ynë ishte i qartë: Çdo pjesë e territorit të Fushë-Kosovës të ketë qasje falas në fusha dhe salla sportive. Këtë synim e kemi arritur, ndërsa tani do të vazhdojmë me investime në avancimin e këtij sektori dhe në ngritje të cilësisë”, ka thënë Berisha.