Lokalet 2021

Kronika zgjedhore / LDK-ja premton ngrohje qendrore në Podujevë dhe dy mijë vende pune në Mitrovicë

Dyfishim të buxhetit në bujqësi, rritje të cilësisë në arsim, asfaltim e riasfaltim të rrugëve kanë premtuar të martën kandidatët për kryetarë të komunave nga Lidhja Demokratike e Kosovës. E në Mitrovicë me një investim njëmilionësh në një zonë ekonomike, kandidati Armend Agolli po synon gjenerimin e dy mijë vendeve të reja të punës

Premtime të shumta për vende të reja të punës, dyfishim të buxhetit të bujqësisë, rritje të cilësisë në arsim, ndërtim shkollash e infrastrukturë rrugore kanë dhënë gjatë së martës kandidatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetarë të komunave. Ata janë zotuar gjithashtu edhe për mbështetje të rinisë dhe sportit derisa kanë prezantuar edhe projekte të tjera për lehtësim të jetës së qytetarëve. Në Podujevë, kandidati Ekrem Hyseni ka prezantuar projektin 10-milionësh të ngrohtores së qytetit duke thënë se e njëjta do të ndikojë në jetë më cilësore, ajër të pastër, reduktim të prerjes së pyjeve dhe punësim e zhvillim. Ai është zotuar se ky projekt do të realizohet gjatë mandatit të tij katërvjeçar në rast se merr besimin e qytetarëve për ta udhëhequr komunën.

“Ky është ndër projektet më të mëdha kapitale që Komuna e Podujevës i ka pasur ndonjëherë. Lokacioni i këtij projekti ende nuk është vendosur, për arsye se për burime të energjisë i kemi disa opsione dhe nëse si burim energjie do ta përdorim koogjenerimin nga avulli i KEK-ut, atëherë ky lokacion do të jetë në pjesën jugore të qytetit, sepse andej na përshtatet”, ka thënë Hyseni.

Bujqësia do të jetë një ndër prioritetet e kandidatit të LDK-së për Suharekën, Ardian Shala. Për bujqit, blegtorët e vreshtarët Shala ka premtuar subvencione, investime në serra e krijim të sistemeve të ujitjes së tokave bujqësore për disa fshatra.

“E konfirmoj me përgjegjësi të plotë se buxheti për bujqësi brenda mandatit tim do të dyfishohet. Për 4 vite buxheti i dedikuar për bujqësi do të jetë 5 milionë euro”, ka thënë ai.

Në Ferizaj kandidatja Sibel Halimi ka shpalosur programin e saj për arsimin. Ajo ka premtuar ndërtim të shkollave, programe të punësimit për nxënësit, subvencionim të çmimit të çerdheve private e siguri në shkolla.

“Përmes programit të punësimit ne do të ofrojmë për nxënësit dhe nxënëset punë sezonale gjatë pushimeve verore dhe mundësi punësimi në bizneset private pasi ta përfundojnë shkollën e mesme”, ka thënë Halimi.

Se do t’i kushtojë rëndësi arsimit, është zotuar edhe kandidati për Istogun, Ilir Ferati. Ai ka thënë se do të ndërtojnë hapësira të reja të çerdheve dhe do t’i zgjerojnë ato ekzistueset për t’i mundësuar çdo fëmije të Istogut të ndjekë çerdhen. Ai ka shtuar se do ta bëjë digjitalizimin e të gjitha klasave, do t’i dyfishojë bursat për studentët dhe se do ta rrisë numrin e inspektorëve për monitorimin e institucioneve arsimore.

“Do të mundësojmë ofrimin e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta në të gjitha shkollat, një asistent për çdo fëmijë. Ofrimi i shërbimeve të logopedisë në kuadër të ciklit parashkollor përmes angazhimit të ekspertëve të jashtëm dhe ofrimi i transportit për të gjithë nxënësit që kanë nevojë”, ka deklaruar Ferati.

Në Lipjan, kandidati i LDK-së, Imri Ahmeti, ka premtuar asfaltimin e rrugës që lidh fshatin Llugali me fshatin Babush. Ai ka thënë se kjo rrugë prej 1500 metrash është e buxhetuar dhe do të fillojë të ndërtohet vitin e ardhshëm, derisa ka shtuar se në të njëjtën kohë do të rregullohet edhe infrastruktura e varrezave të cilat gjenden afër kësaj rruge.

Armend Agolli, kandidat për Mitrovicën, ka zhvilluar disa takime me qytetarë. Ai ka thënë se në mandatin e tij ka synim funksionalizimin dhe rregullimin e infrastrukturës në zonën e lirë ekonomike në fshatin Frashër e cila do të gjeneronte mbi 2000 vende të punës. Sipas Agollit, investimi për fazën e parë do të kushtojë 1 milion euro.

E në Prizren kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka vizituar për të dytën herë gjatë kësaj fushate kandidatin për kryetar të Komunës, Anton Quni. Quni është shprehur i bindur se Prizreni tashmë ka vendosur për ndryshim të pushtetit.

“U zotuam se së bashku me qytetarët do ta bëjmë kapërcimin e madh, që qyteti i Lidhjes t’i rikthehet Lidhjes, për t'ia rikthyer namin e zanin e mirë që kishte, jo vetëm në Kosovë, por në rajon e më gjerë kur qeverisej nga LDK-ja”, ka deklaruar Quni.

Në Fushë-Kosovë, kandidati Burim Berisha, që është edhe kryetar aktual, ka dhënë premtime për zhvillimin e sportit.

“Në mandatin e ardhshëm Komuna e Fushë-Kosovës do të bëhet me një hapësirë moderne për sporte ekstreme, duke përfshirë motoçikleta, biçikleta, go-cart etj”, ka thënë Berisha.