Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ LDK-ja premton banjë termale në Mitrovicë e qendra kulturore në Prishtinë

Në Stantërg të Mitrovicës, kandidati për kryetar të Komunës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Agolli, ka premtuar ndërtimin e një banje termale. Agolli ka thënë se kjo qendër rehabilituese do të shërbejë për shërim, rehabilitim, sport dhe turizëm dhe se do të jetë 7 mijë metra katrorë me 844 shtretër e dy pishina.

“Investitori i këtij projekti është suedez, ndërsa punëkryesi është kompani gjermane. Projekti do të fillojë së ndërtuari në pranverën e vitit të ardhshëm. Ne do ta bëjmë, nuk është thjesht premtim”, ka deklaruar Agolli.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka radhitur një varg planesh për artin dhe kulturën. Rama është zotuar se do ta themelojë teatrin e ri të qytetit, galerinë, muzeun, shkollën e artit, si dhe orkestrën e qytetit.

“Me mua Prishtina do të jetë qendër rajonale e artit, kulturës dhe kreativitetit, sepse e di që e ka një potencial të tillë. Për të arritur këtë, unë do të mbështes industrinë e artit, muzikës, dhe modës”, ka thënë ai.

Në Prizren, garës së LDK-së për Komunën i është bashkuar numri dy i listës “VAKAT” nga komuniteti boshnjak, Abaz Ademi. Kandidati për këtë komunë, Anton Quni, ka thënë se LDK-ja ka dhënë prova se mund të ngrejë ura bashkëpunimi.

Në Vushtrri, për kandidatin Xhafer Tahiri, kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku ka thënë se është ndër kryetarët më të suksesshëm në nivel vendi. Ai ka thënë se Tahiri i përmbush plotësisht ato që premton.

“Xhafën e keni një kryetar të jashtëzakonshëm, një kryetar me të cilin mund të bisedoni lirshëm si të rinj e të reja që jeni, një kryetar që na përfaqëson denjësisht të gjithëve”, ka thënë Abdixhiku.

E për të rinjtë Tahiri ka dhënë një zotim për të cilin ka thënë se është gjysmë i kryer.

“Ne kemi fituar një grant prej 250 mijë eurosh për rininë dhe në tre vjetët e ardhshëm do t’i përkrahim, projektet, start-up-et e të rinjve në Vushtrri”, ka deklaruar ai.

Pas vizitës në Nishor, kandidati për Suharekën, Ardian Shala, është zotuar se do ta rregullojë çështjen e ujit, rrugët lokale e ndriçimin. Edhe për fshatin Kastërc, Shala dha disa premtime.

As LDK-ja nuk është përmbajtur nga takimet elektorale në kundërshtim me masat anti-COVID. Ato janë shkelur edhe në tubimin me disa të rinj të kandidatit për Podujevën, Ekrem Hyseni, e edhe në tubimet e kreut të Gjilanit, Lutfi Haziri. Në Podujevë derisa e ka kërkuar votën e qytetarëve, Hyseni ka thënë se gjatë gjithë këtyre viteve të shërbimit si mjek e deputet është plotësuar si njeri e profesionist për t’i kuptuar e trajtuar nevojat e qytetarëve.

“Kur iu desha pacientëve, dhashë Betimin e Hipokratit, kur iu desha atdheut, dhashë Betimin e Ushtarit, tani kur i duhem Podujevës, dua të jap betimin e kryetarit”, ka thënë ai.

E ne Gjilan, Haziri u ka dhënë disa premtime banorëve të Caparit.

“Në vitin e ardhshëm do t’i përmbyllim investimet infrastrukturore këtu, përfshirë zgjerimin e rrugës, kanalizimin, ujësjellësin dhe rrugën e Muhaxherëve. Ky fshat do të përfitojë mbështetje të madhe edhe për bujqit, si vend tipik i zhvillimit të bujqësisë e blegtorisë”, ka thënë ai.