Zgjedhjet lokale

Plakolli premton zhvillimin turistik të Stantërgut, Azemi ujë të pijshëm pa ndërprerje për Ferizajn

LDK

Zhvillim turistik të Stantërgut, ujë të pijshëm pa ndërprerje për Ferizajn, objekt të ri për zjarrfikësit në Kamenicë, subvencione deri në 500 euro për nënat vetushqyese në Istog e udhëtime falas për pensionistët në Prizren, kanë premtuar kandidatët e LDK-së në tubimet e së hënës

Kandidati i LDK-së për kryetar të Mitrovicës, Gëzim Plakolli, nëpërmjet një videoje ka prezantuar veten, familjen si dhe vizionin e tij për qytetin në rast se fiton besimin e qytetarëve më 12 tetor.

Ai premtoi arsim të hershëm për fëmijët dhe mësim gjithëditor për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën. Si prioritet listoi edhe zhvillimin turistik të zonës së Stantërgut.

“Nëntoka jonë është shumë e pasur. Ne jetojmë e flemë mbi ar, arxhend, plumb e zink. Stantërgu fatkeqësisht ngjan në vendbanimin më të varfër të shtetit tonë. Kjo pjesë, do të bëhet zonë e lulëzuar turistike që do të jetë atraksion i vërtetë për shumë të rinjë kosovarë dhe të huaj. Kushdo që vjen këtu, do të shoh kristalet e bukura të Trepçës”, ka thënë Plakolli.

Në Podujevë kandidati Ekrem Hyseni u zotua për, siç tha, kthimin e normalitetit në komunë, si parakusht për zhvillim.

“Ta kthejmë në normalitet Podujevën edhe pastaj vjen zhvillimi. Shëndetësia për zhvillim, arsimi për zhvillim, ekonomia për zhvillm, administrata për zhvillim dhe në fund e përfundojmë një mandat të suksesshëm”, ka deklaruar Hyseni.        

Në Ferizaj kandidati Visar Azemi prezantoi një program me shumë pika, e që kryesorja është për ujin e pijshëm.

“Qytetarët folën, ndërsa ekipi ynë profesionist të gjitha i shkriu në një program që parasë gjithash me prioritet i jep ujë të pijshëm 24 orë. Lagjeve të Ferizajit u krijon vende me gjelbërim e lojëra për fëmijë. Shkollave të Ferizajit u siguron kushte për mësim tërëditor me tabela digjitale që e sjellin klasën në shekullin 21. Rrugët e Ferizajt do të jenë pa kolona me plan të mobilitetit. Me transport urban falas dhe me semaforë inteligjentë”, ka thënë Azemi.

Kandidati për kryetar të Kamenicës, Shaip Surdolli, premtoi ndërtimin e një objekti të ri për zjarrfikësit dhe pajisje moderne për ta, e në Istog, Ilir Ferati, që synon edhe një mandat, u zotua për subvencione deri në 500 euro për nënat vetushqyese.

E në Prizren, kandidati Driton Selmanaj premtoi udhëtime falas me autobusë për pensionistët.