Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ Muharremaj premton 1.500 vende të reja pune në Suharekë

Në javën e fundit të fushatës, AAK-ja ka filluar të mbajë tubime fizike duke u takuar me qytetarë. Kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, së bashku me kandidatin për Suharekën, Bali Muharremaj, kanë mbajtur një tubim në të cilin u shkelën disa nga rregullat anti-COVID

Rregullat për të cilat ka përgatitur edhe fletushkë, ishin ato që po shkeleshin në tubimin për zgjedhjet e 17 tetorit nga kandidati për Suharekën, Bali Muharremaj.

Në një ambient të mbyllur, ku po mbahej tubimi edhe pse distanca po respektohej, qëndronin më shumë se 20 persona.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Suhareka është kampion i zhvillimit në Kosovë.

Ka premtuar se me Muharremajn kryetar do të ndërtohen dy zona të reja industriale.

“Diçka që mendoj që është tepër me rëndësi për vendin është korniza e sigurisë, tani duhet me punu me hy në NATO, e dikush mundet me thanë çka ka lidhje NATO me komunë e me jetën e qytetarëve të Suharekës, ka shumë lidhje. Se duke ecë drejt NATO-s edhe rriten investimet, rritet siguria e investitorëve”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa, Bali Muharremaj duke shpalosur programin e tij, ka premtuar 1.500 vende të reja të punës.

“Pata premtue 1.400 vende të reja të punës, i kam tejkalue, po tash sot ju premtoj edhe 1.500 vende të reja të punës”, ka thënë ai.

Muharremaj ka theksuar se bujqësia është një nga prioritetet e tij dhe do të ketë rritje të buxhetit për këtë sektor.

“Buxheti komunal do të jetë 1 milion euro, e kemi gjet 350m mijë kemi mbërri në 500 mijë po tash kem me shku 100% dhe cdo vit do të kemi 1 milion euro. Pretendojmë edhe dy mi marrë donacione kshu që buxheti i bujqësisë për bujqit e Suharekës në mandatin e ardhshëm do të jetë 6 milion euro”, ka shtuar ai.

Ndërsa në Gjakovë, kandidati Ardian Gjini është takuar me zjarrfikësit, të cilëve u ka premtuar se do të punojë që puna e tyre të bëhet më e lehtë dhe më e sigurt.

“Zjarrfikësit janë heronjtë e vërtetë në rastet e emergjencave dhe fatkeqësive të zjarrit. Sot takova disa prej tyre, që shërbejnë në Brigadën e Zjarrfikësve në Gjakovë.

E di që kanë vështirësi, prandaj diskutuam së bashku për të gjetur zgjidhje që puna e tyre të bëhet më e lehtë, por edhe më e sigurt”, ka shkruar Gjini në “Facebook”.

Fushatën digjitale e kanë vazhduar edhe kandidatë të tjerë, si Bashkim Ramosaj, Kastriot Berisha e Smajl Latifi.