Kryetari aktual i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, thotë se ka arritur të realizoj zotimet që kishte dhënë katër vjet më parë. Ai ka përmendur projektet e arritura, teksa jep premtime të reja si kandidat i LDK-së edhe për një mandat të ri për Vushtrrinë.
“Kemi arritur të realizojmë zotimet duke ndërtuar dy verdhe, pesë shkolla, dy sheshe, shtëpinë e kulturës, duke funksionalizuar qendrën rinore, muzeun, jam i kënaqur që kemi sjellë ujin në 80 për qind të familjeve të Vushtrrisë, ndërkohë që shumica absolute e fshatrave kishin mungesë të ujit. Plani jonë në katër vitet e ardhshme nuk është vetëm plan i këtyre sukseseve, plani jonë ngërthen edhe përpjeke si ngrohtoren, impiantin e ujërave të zeza, parkun rekreacional, investime në erë e miniera, etj. Në qendër të këtij projekti kemi vendosur punësimin e grave dhe të rinjve, dhe përkrahjen e bujqësisë”, ka thënë ai.
E, kundërkandidatët e tij thonë se kjo komunë ka ende probleme për të cilat duhet zgjidhje.
Arsim Rexhepi, kandidat i LVV-së për kryetar të Vushtrrisë, në Zgjedhjet në KOHË – Debati për Vushtrrinë tha se shumë nga ato që u thanë nga Tahiri nuk janë arritur. Madje, tha Rexhepi, ka edhe ngecje.
“Shumë nga ato që u thanë, jo vetëm që nuk janë arritë në masë të tillë por ka ngecje. Ne i jemi përgjigjur me një plan tonin, ku vjen zhvillimi ekonomik, bujqësia dhe turizmi, menaxhimi i pandemisë, arsimi, planifikimi urban, skema sociale. Kur jemi te zhvillimi i ekonomisë e kemi prioritet shndërrimin e Vushtrrisë në qendër të bujqësisë, ndërmarrësia në bujqësi te ne është e shprehur, këtë do ta forcojmë, do kemi zonë ekonomike të modelit gjerman. Do insistojmë që ujitja të fillojë në maj dhe jo qershor, do kemi fond për zhvillim të inovacionit, do subvencionojmë fermerët tanë abonues të sistemit të ujitjes”, tha ai.
Albert Maxhuni, kandidat i Nismës, tha se do të fokusohen ndër tjerash edhe në ujë dhe rrymë e infrastrukturë, që sipas tij Vushtrria përballet me probleme sa i përket këtyre aspekteve.
“Programi jonë bazohet në arsim, bujqësi, rinia, sporti, turizmi, infrastruktura. Kemi fshatra që nuk kanë ujë dhe kanë probleme me rrymën. Kemi problem me infrastrukturë, shtrohet asfalt pa kriter. Probleme në bujqësi, Vushtrria shquhet për bujqësi. Shëndetësia prioritet, kampanjë vetëdijësuese për vaksinim”.
Mensut Aademi, kandidat nga AAK, tha se programi i tij ndahet në dy shtylla. Ai tha se Vushtrria përbalet me varfëri dhe papuënsi ën rritje.
“Kemi ndarë dy shtylla, një që është urbanizmi dhe infrastruktura dhe shtylla në investime humane apo burime njerëzore. Kemi vërejt varfëri në rritje, papunësi në rritje, depopullim i vendbanimit, degradim i trashëgimisë kulturore, standarde të larta të banimit dhe të tjera jemi munduar me planin tona ta çojmë planin për punësim dhe zhvillim ekonomik. Bujqësisë do t’i japim shumë rendësi”.
Kurse, Ferit Idrizi nga PDK, ka thënë se ka shtatë shtylla në programin e tij që do t’i përcjellë. Fokus do të jetë avancimi i gruas dhe rinisë, tha ai.
Investimet i kemi fokusuar në 7 shtylla, zhvillimi ekonomik dhe diaspora, rinia, kultura, arsimi, shëndetësia, infrastruktura, administrata publike dhe turizmi, etj. Zhvillimin ekonomik nuk e ndajmë nga diaspora sepse përbën fuqi prandaj kemi menduar të hapim një zyrë për ta. Si shtyllë të ekonomisë e kemi futur bujqësinë. Kemi planifikuar ndërtimin e zonës ekonomike ku do tu japim investitorëve për ndërtimin e bizneseve dhe dy zona të turizmit. Rinia dhe avancimi i gruas është fokusi ynë”.
Tahiri ndaj kritikave është përgjigjur që është i lumtur që qyteti po shndërrohet në “qytet modern”.