Disa nga kandidatët e LDK-së gjatë të mërkurës kanë shpalosur programet e tyre qeverisëse për qytetet që po synojnë t’i udhëheqin. Në Ferizaj ndër prioritetet u radhitën zhvillimi ekonomik, arsimi e mirëqenia e qytetarëve. Në Vushtrri, Tahiri ka shpalosur disa projekte realizimi i të cilave ka thënë se duhet të bëhet brenda dy mandateve
Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetare të Ferizajt, Sibel Halimi, të mërkurën ka shpalosur programin qeverisës për katër vjetët e ardhshëm.
Programi që në fokus ka zhvillimin ekonomik të qytetit, mirëqenien e qytetarit, fuqizimin e grave dhe arsimimin e mirëfilltë, sipas Halimit, është programi i duhur për Ferizajn, sepse është hartuar në bashkëpunim me qytetarët.
“Ndërtimi i parkingjeve, ndërtimi i rrugës Ferizaj-Jezerc 16 kilometra dhe Jezerc- Burrnik 29 kilometra, mirëmbajtja dhe rregullimi i çdo rruge e cila ka pengesa rrugore si dhe ngritja e kapaciteteve për prodhimin e ujit të pijshëm”, ka thënë Sibel Halimi, kandidate e LDK-së për Ferizaj.
Pjesë nga programi ka shpalosur edhe kandidati i LDK-së për Prishtinën, Përparim Rama.
Ai ka prezantuar projektin për ndërlidhjen e lagjes “Dardania” me “Kalabrinë”.
Në Suharekë kandidati Ardian Shala ka vizituar fshatin Leshan, ku banorëve ua ka prezantuar investimet që ka synim t’i realizojë në këtë fshat.
“Investimet në Leshan do të jenë, rregullimi i trotuarit Topliçan-Leshan, ndërtimi i urës në Leshan, ndërtimi i kanalizimit në lagjen Kodra-Mahalla, rregullimi i rrethojës së varrezave të fshatit, rregullimi i rrugëve në fshat, rregullimi i rrjetit kryesor ët ujërave të zeza, rregullimi i shtratit të Lumit”, ka thënë Ardian Shala, kandidat i LDK-së për Suharekë.
E në Vushtrri kandidati Xhafer Tahiri ka zhvilluar një takim me themeluesit e LDK-së në këtë qytet. Para tyre Tahiri numëroi 10 projekte vitale që i ka në plan e që, sipas tij, duhet patjetër të ndodhin në 10 vjetët e ardhshëm.
“Ngrohtorja e qytetit, Zona Ekonomike në Bajskë, parkingjet në qytet, Taraxhën ën qytet që ju e dini me punën juve janë mbjellë ato pisha e është koha me i shfrytëzu, jo me i pre po me pasë punësim e zhvillim në taraxhë. Për atë e kemi paraprë me ndërtu një pishinë atje, e mandej njerëzit privatë do të ndërtojnë hotele”, është shprehur Xhafer Tahiri, kandidat i LDK-së për Vushtrri.
E në kundërshtim me masat kandidati për Lipjanin, njëherësh kryetar aktual, Imri Ahmeti, ka përuruar një sallë sportive në fshatin Sllovi.