Zgjedhjet lokale

Tahiri: Brenda mandatit, të gjitha shkollat e Vushtrrisë do të ofrojnë mësim tërëditor

Xhafer Tahiri

Fushatën zgjedhore, Lidhja Demokratike të martën e ka përqendruar në Vushtrri. Kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, ka prezantuar kandidatin kryetar komune, Xhafer Tahiri, për të cilin ka thënë se është kryetari që i duhet qytetit. E Tahiri, teksa ka shpalosur para qytetarëve programin e tij për katër vjetët e qeverisjes, ka premtuar se Vushtrrinë do ta shndërrojë në një qytet më të gjallë dhe më të zhvilluar. Ai ka bërë zotim gjithashtu që prioritete do t’i ketë gruan, nënat dhe fëmijët, për të cilët ka premtuar kalimin e të gjitha shkollave të komunë në mësim tërëditor

Kryetari i Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka kualifikuar kandidatin e partisë së tij për kryetar komune në Vushtrri, Xhafer Tahiri, si kryetar që do t’ia kthejë qytetit katër vitet e humbura nga pushteti aktual. 

“Sot Vushtrria është në qendër të një beteje të madhe. Një beteje që nuk është vetëm për kryetarin e Komunës, por për dinjitetin e qytetit, për zhvillimin e tij, është për të ardhmen e familjeve e fëmijëve tuaj. Në këtë betejë ne e  kemi një emër që nuk ka nevojë shumë për prezantim. Një emër që tashmë e njihni, një emër që tashmë e keni votuar, e keni parë në punë, e keni provuar si kryetar komune, Një emër që nga 2017 deri në 2021 udhëhoqi këtë qytet me përgjithësi, ky është kandidati ynë, Xhafer Tahiri”, ka thënë Abdixhiku gjatë tubimit të mbajtur të martën në Vushtrri.

Ai e ka akuzuar pushtetin aktual në këtë komunë për qeverisje me mungesë vizioni.

“Vushtrria juaj, Vushtrria jonë nuk duhet më të humbasë kohë as edhe një ditë, as edhe një minutë. Kjo e ka prekur secilin qytetarë të Vushtrrisë, e ka prekur edhe fermerin, e ka prekur biznesin e tregtarin, e ka prekur edhe rininë e juaj që nuk gjen shans për të ardhmen këtu brenda Vushtrrisë. Ka prekur edhe fëmijët tuaj me shkolla që kanë mbetur të pandryshuar. Vushtrria ka humbur 4 vite, sepse ata që e morën drejtimin nuk patën as vizion, nuk patën as përgjegjësi”, ka theksuar ai.

Abdixhiku e ka theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të 12 tetorit për të ardhmen e qytetit dhe të gjithë Kosovës.

“Vushtrria është qyteti i urës së famshme, i tregut të lashtë, i punës, i dijes dhe i qytetarisë. Është qyteti që gjithmonë ka ditur të japë shembull, që gjithmonë ka ditur të udhëheqë, që gjithmonë ka ditur të qëndrojë krenar përballë çdo sfide. Dhe prandaj, të jem këtu sonte, mes jush, është një emocion i madh, është një nder i madh, është një përgjegjësi e madhe. Ky qytet ka dhënë gjithmonë shumë për Kosovën. Ka dhënë njerëz të shkolluar, ka dhënë punëtorë të ndershëm, ka bërë sakrifica të mëdha për lirinë dhe pavarësinë e Republikës”, ka thënë ai. 

Abdixhiku ka theksuar se Tahiri ka dëshmuar përkushtim dhe përgjegjësi gjatë mandatit të tij si kryetar komune në vitet 2017-2021, duke sjellë zhvillime të dukshme për Vushtrrinë.

“Xhafer Tahiri ka qenë kryetar i Vushtrrisë në një periudhë të rëndësishme. Në ato katër vite ai solli projekte konkrete, nisi punë që ndryshuan fytyrën e qytetit, ngriti standarde të reja qeverisjeje. Ai tregoi se si udhëhiqet me përgjegjësi, se si respektohet qytetari, se si punohet për të ardhmen”, ka thënë kryetari i LDK-së.

E kandidati Tahiri ka bërë premtim para qytetarëve se do ta shndërrojë Vushtrrinë në një qytet më të gjallë dhe më të zhvilluar, teksa është zotuar se gjatë mandatit të tij prioriteti do të jetë i përqendruar te gruaja, nëna dhe fëmijët. E për fëmijët, ai ka premtuar se të gjitha shkollat e komunës do të përfshihen në mësim gjithëditor.

“Vushtrria jonë ka pasur vite kur ishte e gjallë, sheshet plot zë. Por ka pasur edhe vite kur gjithçka ka heshtur. Po ndoshta na u desh kjo ngecje për ta kuptuar vazhdimin. Për të kuptuar që së bashku mundemi ta ndërtojmë të ardhmen tonë. Në këtë qytet, gruaja e nëna do të përkrahen nga komuna. Pika e dytë në programin tonë është arsimi, fëmija dhe shkolla. Mësim gjithëditor në shkollë është zotimi ynë për të gjithë nxënësit dhe familjeve të qytetit tonë të zemrës. Brenda mandatit tonë të gjitha shkollat në qytet do të jenë të përfshira në mësim gjithëditor”, ka thënë Tahiri.

Ai ka shtuar se kthimi i tij është shpresë për Vushtrrinë, duke i premtuar qytetit transformim. 

“Qyteti i Vushtrrisë meriton zhvillim modern urban, bashkë me ekipin tonë të ekspertëve kemi hartuar planin e zhvillimit modern urban të qytetit të Vushtrrisë. Kemi plan konkret buxhetor dhe të ndarë në kohë për të transformuar qytetin e Vushtrrisë. Për të transformuar rrugët, lagjet dhe çdo pjesë të Vushtrrisë që sot është lënë e braktisur e harruar”, ka shtuar kandidati për kryetar të Vushtrrisë.

Tahiri ka premtuar gjithashtu përkrahje në bujqësi, kujdes për fëmijët, qendra shëndetësore funksionale dhe shërbime më cilësore për qytetarët.
 

Lexo përditësimet tjera
zgjedhjet

Dita e 11-të e fushatës

Në këtë tekst do të mund t’i lexoni zhvillimet kryesore të ditës së 11-të të fushatës...