Lifestyle

“Zaras” i ndalohen dy reklama për shkak të modeleve “tepër të dobëta”

Zara

Dy reklama të brendit të veshjeve “Zara” janë ndaluar nga autoritetet britanike, pasi në to shfaqeshin modele që “duken tejet të dobëta në mënyrë jo të shëndetshme”, ka raportuar BBC.

Autoriteti i Standardeve të Reklamimit në Mbretërinë e Bashkuar (ASA), ka deklaruar se te njëra modele “hijet dhe modeli i flokëve të kapura pas e bënin të dukej e dobët dhe e rraskapitur”, ndërsa në një reklamë tjetër, “pozicioni i trupit dhe këmisha e hapur në pjesën e sipërme i vinin në pah në mënyrë të theksuar eshtrat e kraharorit”.

ASA e cilësoi reklamën si “të papërgjegjshme” dhe kërkoi që të mos shfaqet më në formën aktuale. Autoriteti në një deklaratë ka theksuar se “Zara” duhet të sigurohet që të gjitha imazhet e saj në të ardhmen të jenë “përgatitur në mënyrë të kujdesshme dhe të përgjegjshme”.

Sipas “Zaras”, e cila i ka hequr reklamat, të dyja modelet kanë pasur certifikata mjekësore që dëshmonin se kanë qenë me shëndet të mirë në kohën kur janë realizuar fotografitë.

Të dy reklamat e ndaluara ishin shfaqur më herët në aplikacionin dhe në uebfaqen e Zaras, në një galeri me foto të veshjeve të ekspozuara. 

Njëra reklamë promovonte një fustan të shkurtër, dhe sipas ASA-s, “hijet janë përdorur në mënyrë që këmbët e modeles të duken dukshëm më të dobëta”. Gjithashtu, pozicioni i krahëve dhe nyjave të bërrylave e bënte trupin e saj të dukej “i pakrahasueshëm me përmasat normale”.

Reklama tjetër promovonte një këmishë dhe sipas autoriteteve, mënyra se si ishte vendosur trupi i modeles e bënte që “eshtrat e kraharorit të spikasnin në mënyrë të tepruar dhe të përbënin elementin kryesor vizual të reklamës”.

Autoriteti i reklamimit i hetoi edhe dy reklama të tjera të “Zaras”, por ato nuk u cilësuan si të papërshtatshme dhe nuk u ndaluan.

“Zara” ka njoftuar se i ka hequr të gjitha imazhet që u vunë në pah nga ASA, edhe pse “nuk ka marrë asnjë ankesë të drejtpërdrejtë” nga konsumatorët. Gjithashtu, kompania ka deklaruar se fotografitë nuk janë modifikuar përveç “disa ndriçimeve të lehta dhe rregullimeve të ngjyrës”.

“Zara” ka theksuar se ndjek udhëzimet e raportit “Fashioning a Healthy Future”, të publikuar në vitin 2007 nga UK Model Health Inquiry. Kompania ka përmendur posaçërisht Rekomandimin nr. 3, ku thuhet se modelet duhet të “sigurojnë një certifikatë mjekësore që vërteton shëndetin e tyre të mirë, e lëshuar nga një mjek i specializuar për çrregullimet e të ngrënit”.

Ky rast nuk është i vetmi, më herët gjatë këtij viti janë ndaluar reklama edhe nga kompani të tjera për të njëjtat arsye.

Në muajin korrik, një reklamë nga “Marks & Spencer” u ndalua, pasi modelja në të “dukej e dobët në mënyrë të pashëndetshme”. ASA vuri në dukje se pozicioni i trupit dhe veshja, përfshirë këpucë me maje të madhe, e bënin të theksuar hollësinë e këmbëve të modeles, duke e cilësuar reklamën si “të papërgjegjshme”.

Po ashtu, kompania “Next” kishte një reklamë për xhinse të ngushta që u ndalua. ASA ka deklaruar se “këndi i kamerës e vinte në pah hollësinë e këmbëve të modeles” dhe se reklama ishte e papërshtatshme.

Megjithatë, “Next” ka dekalruar se nuk ishte dakord me vendimin, duke theksuar se modelja, edhe pse e hollë, kishte “trup të shëndetshëm dhe të tonifikuar”.

Pas këtij vendimi, shumë lexues të BBC-së ngritën pyetjen: pse reklamat me modele që duken të shëndoshura në mënyrë të pashëndetshme nuk ndalohen gjithashtu?