Në Britani të Madhe janë ndaluar reklamat për ushqime të pashëndetshme duke filluar nga e hëna, si pjesë e përpjekjeve për të luftuar obezitetin tek fëmijët. Janë ndaluar reklamat në televizion dhe internet.
Ndalimi vlen në të gjithë Britaninë dhe ndalon reklamimin e ushqimeve dhe pijeve me shumë yndyrë, kripë dhe sheqer (HFSS) në televizion para orës 21:00, si dhe në çdo kohë në platformat online, ka raportuar BBC.
Masat prekin produktet që konsiderohen si kontribuuesit kryesorë në obezitetin e fëmijëve, përfshirë pijet e gazuara, çokollatat, ëmbëlsirat, picat dhe akulloret.
Federata e Ushqimit dhe Pijeve (FDF) ka deklaruar se është e përkushtuar t'i ndihmojë njerëzit të ushqehen më shëndetshëm dhe se kompanitë anëtare i kanë zbatuar vullnetarisht këto kufizime që nga muaji tetor i vitit 2025.
Përveç ushqimeve që duken qartazi të pashëndetshme, ndalimi përfshin edhe disa drithëra të përpunuara për mëngjes, tërshërën me sheqer të shtuar, produkte buke me sheqer të shtuar, si dhe ushqime kryesore dhe sanduiçe.
Vendimi se cilat produkte ndalohen bazohet në një sistem vlerësimi që merr parasysh përmbajtjen ushqyese dhe nivelin e yndyrës së ngopur, kripës dhe sheqerit.
Tërshëra e thjeshtë dhe shumica e tërshërës pa sheqer të shtuar, si mueslit dhe granola nuk ndalohen, por versionet me sheqer të shtuar, çokollatë apo shurup mund të preken nga kufizimet.
Kompanitë ende mund të reklamojnë versione më të shëndetshme të produkteve të ndaluara, me shpresën e qeverisë se kjo do t’i shtyjë prodhuesit të krijojnë receta më të mira për shëndetin.
Josh Tilley, drejtor i strategjisë së markave në agjencinë e marketingut “Initials CX”, ka thënë se kompanitë mund të reklamojnë brendin e tyre në përgjithësi, por jo produkte konkrete.
Reklamat që përfshijnë vetëm logon e kompanive, si ajo e “PepsiCo” apo harqet e “McDonald’s”, nuk ndalohen, gjë që sipas tij favorizon kompanitë e mëdha.
Ndërsa bizneset e vogla, ka thënë ai, nuk kanë gjithmonë mundësi të bëjnë fushata të mëdha të brendit dhe zakonisht fokusohen në promovimin e produkteve konkrete, gjë që tani nuk do të jetë më e mundur për to.
Ndalimi vlen vetëm për reklamat ku shfaqen produkte të pashëndetshme, çka do të thotë se zinxhirët e ushqimit të shpejtë mund të vazhdojnë të reklamojnë emrin e brendit.
Më herët, reklamat për ushqime HFSS ndaloheshin vetëm në platformat ku më shumë se 25 për qind e audiencës ishte nën moshën 16 vjeç.
Kompanitë që nuk i zbatojnë rregullat rrezikojnë masa nga Autoriteti i Standardeve të Reklamimit (ASA).
Të dhënat e institucioneve shëndetësore në Britani tregojnë se gati një në dhjetë fëmijë në moshë parashkollore jetojnë me obezitet, ndërsa një në pesë fëmijë kanë probleme me prishjen e dhëmbëve deri në moshën pesëvjeçare.
Obeziteti vlerësohet se i kushton shërbimit shëndetësor britanik mbi 11 miliardë funte në vit.
Studimet tregojnë se ekspozimi i fëmijëve ndaj reklamave për ushqime të pashëndetshme ndikon në zgjedhjet e tyre ushqimore që në moshë të hershme, duke rritur rrezikun për mbipeshë dhe obezitet.
Qeveria vlerëson se ndalimi i reklamave do të parandalojë rreth 20 mijë raste të obezitetit te fëmijët.
Katherine Brown, profesoreshë në Universitetin e Hertfordshire, e quajti këtë masë “të vonuar, por në drejtimin e duhur”.
Ajo ka thënë se fëmijët janë shumë të ndjeshëm ndaj marketingut agresiv të ushqimeve të pashëndetshme dhe se ekspozimi ndaj tyre rrit rrezikun për obezitet dhe sëmundje kronike.
Brown ka bërë thirrje që qeveria t’i bëjë më të përballueshme, më të qasshme dhe më tërheqësem ushqimet me vlera ushqyese .
Federata e Ushqimit dhe Pijeve ka deklaruar se prodhuesit janë të përkushtuar të bashkëpunojnë me qeverinë për t’i ndihmuar njerëzit të bëjnë zgjedhje më të shëndetshme, duke shtuar se produktet e tyre sot përmbajnë më pak kripë, sheqer dhe kalori krahasuar me një dekadë më parë.