Pavarësisht premtimeve për zero tolerancë ndaj materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve, rrjeti social X vazhdon të jetë një nga platformat ku përmbajtje të tilla qarkullojnë lirshëm. Rasti tronditës i Zorës, e abuzuar para 20 vjetësh, tregon se imazhet e saj vazhdojnë të shpërndahen dhe shiten ende sot. Aktivistët dhe organizatat për mbrojtjen e fëmijëve thonë se përpjekjet për ndalimin e këtyre materialeve janë të pamjaftueshme dhe se llogaritë e pedofilëve ringjallen vazhdimisht. Viktimat si Zora mbeten të ekspozuara dhe të traumatizuara nga një e kaluar që nuk po zhduket. Ato kërkojnë veprime konkrete dhe urgjente nga drejtuesit e platformave
Një viktimë e abuzimit seksual të fëmijëve e ka lutur Elon Musk që të ndalojë linqet që ofrojnë imazhet e abuzimit të saj në rrjetin e tij social X.
“Është acaruese të dëgjosh që abuzimi im dhe abuzimi i shumë të tjerëve ende qarkullon si ‘mall’”, ka thënë Zara, që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e cila ishte abuzuar 20 vjet më parë.
“Sa herë që dikush shpërndan apo ‘shet’ materiale të abuzimit të fëmijëve, ai nxit direkt abuzimin dhe kjo është e tmerrshme”, ka thënë ajo.
Rrjeti social X ka thënë se ka zero tolerancë ndaj materialit të abuzimit të fëmijëve dhe ndjekja e atyre që shpërndajnë të tilla materiale në këtë platformë është “top prioritet”.
BBC ka gjetur imazhe të Zorës derisa hetonte tregtinë globale të materialeve të abuzimit seksual me fëmijë, që kapin vlerën e miliarda dollarëve, vlerësim ky nga Childlight dhe Instituti Global i Sigurisë së Fëmijëve.
Materiali ishte në mesin e mijëra fotografive dhe videove që janë ofruar për shitje në rrjetin social X. BBC-ja thotë të ketë kontaktuar me shitësin e këtyre materialeve përmes mesazheve në aplikacionin Telegram dhe kjo i ka dërguar në një llogari bankare e cila ka lidhje me një person në Jakarta në Indonezi.
Zora ishte abuzuar seksualisht nga një anëtar i familjes. Imazhet famëkëqija të abuzimit të saj kanë rënë në duart e pedofilëve të cilët koleksionojnë përmbajtje të tilla. Viktima të tjera janë ballafaquar me të tilla situata, derisa pamje të tilla vazhdojnë të qarkullojnë edhe sot.
Zora (emri i së cilës nuk është i vërtetë) është e zemëruar që shitja e këtyre përmbajtjeve vazhdon edhe sot e kësaj dite.
“Trupi im nuk është mall. Nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të jetë kurrë”, ka thënë ajo. “Ata që shpërndajnë materiale të tilla nuk janë spektatorë pasivë, janë bashkëfajtorë të këtyre veprave”.

Ndjekja e profileve në X
Imazhet e Zoras ishin të qasshme në të ashtuquajturat në faqe të jashtëligjshme, por ajo tashmë duhet të jetojë me faktin se linqet të cilat çojnë te ato pamje janë lirshëm të qasshme në platformën X.
Mediat sociale janë duke u munduar që t’i heqin materialet ilegale nga platformat e tyre, por niveli i problemit është jashtëzakonisht i madh.
Vitin e kaluar Qendra Kombëtare e SHBA-së për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar (NCMEC) mori më shumë se 20 milionë raporte nga kompanitë e teknologjisë në lidhje me incidente të materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve – imazhe dhe video të paligjshme në platformat e tyre.
Vitin e kaluar NCMEC mori më shumë se 20 milionë raporte të detyrueshme nga kompanitë e teknologjisë lidhur me materialet e abuzimeve të fëmijëve, imazhe dhe video ilegale në platformat e tyre.
NCMEC përpiqet të identifikojë viktimat dhe autorët, organizata më pas kontakton forcat e rendit.
Ne iu drejtuam grupit “haktivist” Anonymous, anëtarët e të cilit po përpiqen të luftojnë tregtinë e imazheve të abuzimit me fëmijë në X. Njëri prej tyre na tha se situata ishte më e keqe se kurrë.
Ata na informuan për një llogari të vetme në X. Ajo përdorte një foto të kokës dhe shpatullave të një fëmije të vërtetë si avatarin e saj. Nuk kishte asgjë të turpshme në lidhje me të.
Por fjalët dhe emojit në biografinë e llogarisë e bënin të qartë se pronari po shiste materiale abuzimi seksual me fëmijë dhe kishte një lidhje për një llogari në aplikacionin e mesazheve Telegram.
Shitësi jeton në Indonezi dhe po ofronte edhe “paketa VIP”, të cilat koleksiononin imazhe dhe video të abuzimit për shitje për pedofilët gjithandej botës.
Aktivistët e Anonymous kanë qenë duke punuar që t’i raportojnë llogaritë e këtij shitësi në platformën X, në mënyrë që ai të fshihet nga platforma. Por sa herë që një llogari fshihet, një tjetër e re do ta zëvendësojë atë.
Tregtari i këtyre materialeve dukej se kishte mbikëqyrur më shumë se 100 llogari pothuajse identike. Aktivisti na tha se kur e kishte kontaktuar tregtarin direkt duke përdorur Telegramin, tregtari ishte përgjigjur duke thënë se kishte mijëra video dhe imazhe për shitje.
“Kam një fëmijë. Fëmijë të vegjël 7-12 vjeç”, shkroi ai në mesazhet drejtuar aktivistit, të cilat i pa BBC. Ai shpjegoi gjithashtu se disa nga përmbajtjet tregonin përdhunim fëmijësh.
BBC thotë se pasi kontaktuan tregtarin, ai u dha lidhje për mostra të materialit, të cilat ne nuk i hapëm. Në vend të kësaj kontaktuam ekspertë nga Qendra Kanadeze për Mbrojtjen e Fëmijëve (CCCP) në Winnipeg - të cilët punojnë së bashku me forcat e rendit dhe lejohen ligjërisht të shohin përmbajtje të tillë.
“Llogaria në Telegram, në mungesë të një termi më të mirë, ishte një provë - në thelb një kolazh i materialit që ai kishte në dispozicion të të gjitha viktimave të ndryshme”, shpjegoi Lloyd Richardson, drejtor i teknologjisë i CCCP. “Kur pamë të gjitha imazhet e ndryshme në kolazhe, do të thosha se kishte mijëra”.
Midis skedarëve ishin imazhe të Zorës.
Abuzuesi i saj në SHBA u ndoq penalisht dhe u burgos shumë vjet më parë, por jo para se pamjet e abuzimit të ishin ndarë dhe shitur tashmë në të gjithë botën.
Zora na tha: “Kam provuar gjatë viteve të kapërcej të kaluarën time dhe të mos e lejoj atë të përcaktojë të ardhmen time, por autorët dhe ndjekësit ende gjejnë një mënyrë për ta parë këtë ndyrësi”.
Ndërsa ajo u rrit, ndjekësit zbuluan identitetin e Zorës, duke e kontaktuar dhe kërcënuar atë në internet. Ajo thotë se ndihet “e ngacmuar për një krim që më grabiti fëmijërinë time”.

Gjetja e tregtarit
Për të identifikuar tregtarin që shiste foto të Zorës, ne u paraqitëm si blerës.
Tregtari na dërgoi informacionin e tij bankar dhe një llogari pagese online, të dyja kishin të njëjtin emër të listuar si mbajtësi i llogarisë.
Aktivisti anonim kishte zbuluar se ky emër ishte i lidhur edhe me dy transfere parash dhe një llogari tjetër bankare.
Ne gjurmuam një burrë me të njëjtin emër si ai i listuar në llogari, në një adresë në periferi të kryeqytetit indonezian, Xhakarta.
Një producent që punonte në qytet për BBC World Service shkoi për të vizituar adresën dhe u përball me një burrë në lokal, i cili kur iu paraqitën provat tha se ishte i shokuar.
“Nuk di asgjë për këtë”, tha ai.
Burri konfirmoi se një nga llogaritë bankare ishte e tija dhe deklaroi se ishte krijuar për një transaksion të vetëm të lidhur me hipotekën. Ai tha se nuk e kishte përdorur llogarinë që atëherë dhe se do të kontaktonte bankën e tij për të zbuluar se çfarë kishte ndodhur. Ai mohoi të kishte dijeni për llogarinë tjetër bankare ose transferet e parave.
Mënyra se si po tregtoheshin imazhet e Zorës është një metodë e përdorur nga qindra tregtarë në të gjithë botën. Postimet në X përdorin hashtage të ndryshme të njohura për pedofilët. Imazhet që shfaqen në platformë shpesh merren nga imazhe të njohura të abuzimit me fëmijë, por mund të priten në mënyrë që të mos jenë të turpshme.
Elon Musk tha se heqja e materialeve të abuzimit seksual me fëmijë ishte “prioriteti i tij kryesor” kur mori përsipër rrjetin social X, i njohur atëherë si Twitter, në vitin 2022.
Platformat e mediave sociale në përgjithësi, jo vetëm X, mund të bëjnë shumë më tepër për të parandaluar kriminelët që postojnë vazhdimisht në këtë mënyrë, thotë Lloyd Richardson nga CCCP.
“Është shumë mirë që ne mund të dërgojmë një njoftim për heqje [në platformat e mediave sociale] dhe ata e heqin llogarinë, por ky është minimumi i domosdoshëm”.
Problemi është se përdoruesit mund të kthehen në platforma brenda pak ditësh me një llogari të re, thotë ai.
X tha se ka “tolerancë zero” për shfrytëzimin seksual të fëmijëve. “Ne investojmë vazhdimisht në zbulimin e avancuar për të na mundësuar të ndërmarrim veprime të shpejta kundër përmbajtjes dhe llogarive që shkelin rregullat tona”, tha një zëdhënës.
Platforma tha se punon “ngushtë me Qendrën Kombëtare për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar (NCMEC) dhe mbështet përpjekjet e zbatimit të ligjit për të ndjekur penalisht këto krime të tmerrshme”.
Telegram tha: “Të gjitha kanalet janë të moderuara dhe më shumë se 565,000 grupe dhe kanale që lidhen me përhapjen e CSAM janë ndaluar deri më tani në vitin 2025”.
Platforma tha se ka më shumë se një mijë moderatorë që punojnë për këtë çështje.
“Telegrami monitoron në mënyrë proaktive përmbajtjen publike në të gjithë platformën dhe heq materialin e pakëndshëm përpara se të arrijë te përdoruesit ose të raportohet”, tha një zëdhënës.
Kur i thamë Zorës se fotot e saj po shkëmbeheshin duke përdorur X, ajo kishte këtë mesazh për pronarin e platformës, Elon Musk: “Abuzimi ynë po ndahet, shkëmbehet dhe shitet në aplikacionin që zotëroni. Nëse do të vepronit pa hezitim për të mbrojtur fëmijët tuaj, ju lutem të bëni të njëjtën gjë për pjesën tjetër prej nesh. Koha për të vepruar është tani”.