Lifestyle

Ushqimet që ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve të zemrës dhe diabetit

Ushqimi i shëndetshëm

Ushqimi i shëndetshëm

Një grup shkencëtarësh amerikanë ka zbuluar se konsumimi i rregullt i frutave, perimeve, arroreve dhe drithërave të plota mund të ulë ndjeshëm rrezikun për të zhvilluar diabetin e tipit 2 dhe sëmundjet kardiovaskulare, dy nga sëmundjet më vdekjeprurëse në botë, ka shkruar Daily Mail.

Ky efekt vjen falë një përbërësi natyral të quajtur fitosterol, i cili gjendet te bimët dhe ndihmon në përmirësimin e metabolizmit dhe në uljen e inflamacionit.

“Rezultatet mbështesin faktin se një dietë e pasur me ushqime me bazë bimore, sidomos perime dhe drithëra, është përfituese për shëndetin e njeriut”, ka thënë doktori Fenglei Wang, autori kryesor i studimit dhe studiues në Universitetin Harvard.

Çfarë janë fitosterolët dhe pse janë të rëndësishëm?

Fitosterolët janë substanca natyrale që gjenden në bimë dhe janë të ngjashëm me kolesterolin. Ata ndihmojnë në uljen e kolesterolit të keq (LDL) dhe përmirësojnë funksionimin e insulinës, si dhe ulin inflamacionin në zemër.

Ushqimet më të pasura me fitosterolë janë:

Vajrat bimore të papërpunuar (vaj ulliri, vaj luledielli, vaj arrash)

Arroret: bajame, fëstëkë, arra indiane

Farat: kungulli, luledielli, shalqiri

Drithëra të plota: tërshëra, elbi

Bishtajoret: qiqrat, thjerrëzat, soja

Perimet: brokoli, lulelakra, bishtajat, patatja e ëmbël, angjinaret

Frutat: ananasi, portokalli, manaferrat, bananet

Ani pse përfitimet janë të qarta, rreth 90% e amerikanëve nuk konsumojnë sasinë e rekomanduar të frutave, perimeve dhe drithërave të plota çdo ditë.

Në studimin që zgjati 36 vite, u ndoqën më shumë se 200,000 të rritur amerikanë të cilët me periudha raportuan zakonet e tyre ushqimore. Në fund të periudhës, mbi 20,000 persona kishin zhvilluar diabet të tipit 2 dhe gati 16,000 kishin pësuar sëmundje të zemrës.

Rezultatet treguan se ata që konsumonin: pesë porcione perime në ditë, tri porcione fruta, dy porcione drithëra të plota dhe gjysmë porcioni arrore kishin 10% më pak gjasa për të zhvilluar diabet ose sëmundje të zemrës.

Për më tepër, në analizat e gjakut të rreth 40,000 pjesëmarrësve, u pa se ata që konsumonin më shumë fitosterolë kishin metabolizëm më të mirë, kontroll më të mirë të insulinës dhe më pak inflamacion kardiak.

 “Këto ushqime ndihmojnë në uljen e rezistencës ndaj insulinës dhe parandalojnë inflamacionin, dy faktorë kyç për diabetin dhe sëmundjet e zemrës”, ka shtuar Wang.

Edhe pse autorët nuk treguan saktësisht nëse efektet vinin vetëm nga fitosterolët apo nga përbërës të tjerë si fibra apo antioksidantët, mesazhi kryesor mbetet i qartë: konsumimi i më shumë ushqimeve bimore ndihmon në parandalimin e dy prej sëmundjeve më të rrezikshme të kohës sonë.

Studimi u prezantua këtë javë në konferencën Bioactives for Brain and Cardiometabolic Health në Florida.