Një studim i paraqitur në konferencën më të madhe në botë për kancerin dhe i botuar në New England Journal of Medicine, ka sjellë provat e para të qarta se ushtrimet fizike të strukturuara pas trajtimit të kancerit ulin rrezikun e vdekjes për 37%, ndërkaq rreziku pë rikthimin e sëmundjes apo shfaqjen e një kanceri të ri është 28 për qind, ka raportuar The Guardian.
“Unë do ta kisha quajtur ‘ilaç më i mirë’, sepse ushtrimet nuk kanë të gjitha efektet anësore që kanë ilaçet. Këto janë përfitime të të njëjtit nivel me shumë ilaçe që miratohen për efekte më të vogla, e që janë të shtrenjta dhe toksike”, ka thënë doktoresha Julie Gralow, drejtoreshë Shoqatës Amerikane të Onkologjisë (ASCO).
Ushtrimet po konsiderohen të jenë investim në jetëgjatësi
Studimi përfshiu 889 pacientë me kancer të zorrës së trashë nga SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, Australia, Franca, Kanadaja dhe Izraeli, të cilët kishin përfunduar trajtimin me kirurgji dhe kimioterapi. Rreth 90% e tyre ishin në fazën e tretë të sëmundjes.
Pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe: njëri grup mori vetëm një broshurë me këshilla për stilin e jetesës së shëndetshme, ndërsa tjetri ndoqi një program të strukturuar ushtrimesh për 3 vjet, nën mbikëqyrjen e trajnerëve personalë ose profesionistëve të shëndetit.
Grupi që ushtrohej kishte si objektiv 3 deri në 4 ecje në javë nga 45 deri në 60 minuta ose aktivitete të tjera të përshtatura si kajak, skijim apo palestër.
Pas pesë vjetësh, rreziku për të pasur rikthim apo kancer të ri ishte 28% më i ulët tek ata që ushtroheshin. Pas tetë vjetësh, rreziku i vdekjes ishte 37% më i ulët krahasuar me grupin që kishte marrë vetëm këshilla të përgjithshme.
“Kur pacientët pyesin: ‘Çfarë mund të bëj më shumë për të përmirësuar shanset për shërim?’, tani kemi një përgjigje të qartë: ushtrimet ndihmojnë jo vetëm për të parandaluar rikthimin e sëmundjes, por përmirësojnë ndjeshëm edhe jetën dhe mirëqenien”, ka thënë autori kryesor i studimit, doktori Christopher Booth nga Universiteti Queen’s në Kanada.
Ndryshim historik në kujdesin pas trajtimit të kancerit
Sipas ekspertëve, ky studim do të ndryshojë mënyrën si trajtohet kanceri pas terapisë, duke e bërë aktivitetin fizik pjesë të pandashme të rikuperimit.
“Këto gjetje janë vërtet emocionuese, nga ecjet e thjeshta deri te ushtrimet më intensive, aktiviteti fizik mund të jetë mënyra më e fuqishme për të forcuar trupin dhe për të parandaluar rikthimin e kancerit”, ka thënë profesori Sir Stephen Powis, drejtor mjekësor i institucioneve shëndetësore në Angli.
Ekspertët kanë theksuar se, ndonëse studimi është bërë me pacientë që kishin kancer të zorrës së trashë, përfitimet mund të vlejnë edhe për lloje të tjera kanceri, si ai i gjirit apo i prostatës. Janë të nevojshme studime të reja për ta konfirmuar këtë, por prova si këto nuk mund të injorohen.
“Ushtrimet si ndërhyrje janë zgjedhje e qartë, nuk kanë efekte anësore, janë falas dhe të dobishme për të gjithë. Duhet të zbatohen gjerësisht”, ka theksuar doktoresha Pamela Kunz nga Universiteti i Yaleit.
Vërejtje e rëndësishme për pacientët
Megjithatë, mjekët kanë theksuar se çdo pacient duhet të këshillohet me mjekun para se të nisë ndonjë regjim të ri fizik. Ushtrimet janë të fuqishme, por nuk janë të përshtatshme për të gjithë.
“Aktiviteti fizik për disa pacientë mund të jetë pika e kthesës që ndryshon të gjithë ecurinë e rikuperimit. Por siguria dhe përshtatshmëria mbeten të parat”, ka thënë profesori Charles Swanton nga Cancer Research UK.