Lifestyle

Ushqimet e zakonshme që ndihmojnë në ngadalësimin e plakjes së trurit

Dieta mesdhetare

Në vitet e fundit, është folur shumë për mënyrat se si njerëzit do të mund ta ngadalësoin plakjen, dhe kjo përfshin edhe ruajtjen e shëndetit të trurit. Një studim i ri sugjeron se një regjim i caktuar ushqimor mund të ndihmojë që truri të plaket më ngadalë.

Ky regjim është dieta mesdhetare e gjelbër, një version më i pasur me bimë i dietës tradicionale mesdhetare. Sipas studimit të botuar në Clinical Nutrition, shkencëtarët analizuan të dhënat e 294 personave që morën pjesë në projektin afatgjatë “DIRECT PLUS”, i cili lidhet me ushqyerjen dhe shëndetin e trurit, ka raportuar AOL.

Pjesëmarrësit ndoqën një nga tre versione të dietës:

-mesdhetaren klasike,

-një version me kalori të kufizuara, ose

-dietën mesdhetare të gjelbër, që përfshinte arra, çaj të gjelbër dhe bimën mankai, një lloj gjetheje e pasur me proteina.

Pas 18 muajsh, ata që ndoqën versionin e gjelbër kishin nivele më të ulëta të disa proteinave (galectin-9 dhe decorin) që lidhen me plakjen e trurit.

“Rezultatet tona sugjerojnë se ndjekja e dietës mesdhetare të gjelbër, me theks te mankai, arrat dhe disa filxhanë çaj të gjelbër në ditë, duke shmangur mishin e kuq dhe të përpunuar, mund të ndihmojë në ruajtjen e strukturës dhe funksionit të trurit me kalimin e moshës”, ka thënë profesoresha Iris Shai, bashkautore e studimit nga Harvard University dhe Ben-Gurion University.

Çka është dieta mesdhetare e gjelbër?

Ky regjim përmban më pak mish dhe përfshin rreth 1,240 miligramë polifenole në ditë. Polifenolët janë substanca bimore që luftojnë inflamacionin dhe mbrojnë qelizat. Ndryshe nga dieta tradicionale mesdhetare që lejon mishin e bardhë dhe peshkun, versioni i gjelbër fokusohet më shumë te drithërat integrale, farat, frutat, perimet dhe çaji i gjelbër.

Pse këto ushqime mund të ngadalësojnë plakjen e trurit?

Sipas doktoreshes Heidi J. Silver nga Vanderbilt University, çelësi qëndron te polifenolët.

“Këto janë përbërje bimore me veti antioksiduese dhe anti-inflamatore. Të dyja luajnë rol të rëndësishëm në procesin e plakjes së trurit”, ka thënë ajo.

Antioksidantët ndihmojnë në uljen e stresit oksidativ në inde dhe qeliza, duke reduktuar dëmtimet që lidhen me moshën. Përveç arrave, çajit të gjelbër dhe mankait, edhe frutat e malit, mollët, brokoli dhe çokollata e zezë janë burime të pasura me polifenole.

Studimet tregojnë gjithashtu se polifenolët mund të nxisin prodhimin e BDNF, një proteinë që ndihmon rritjen e neuroneve dhe forcimin e lidhjeve nervore, të cilat lidhen me funksionim më të mirë të trurit dhe rënie më të ngadaltë të kujtesës.

Sipas doktorit Scott Keatley, këto ushqime gjithashtu ndikojnë në nivelin e sheqerit në gjak.

“Çaji i gjelbër, arrat dhe mankai përmirësojnë ndjeshmërinë ndaj insulinës, stabilizojnë nivelin e sheqerit në gjak pas ushqimit dhe ulin inflamacionin kronik. Këto janë mekanizma që mbrojnë enët e gjakut në tru dhe parandalojnë stresin metabolik që përshpejton humbjen e qelizave nervore”, ka thënë ai.

Ndërkohë, Jessica Cording, dietologe dhe autore e librit “The Little Book of Game-Changers”, ka shtuar se çaji i gjelbër përmban aminoacidin l-theanine që përmirëson përqendrimin dhe humorin, ndërsa arrat kanë omega-3, të domosdoshme për shëndetin e trurit.

Sa për mankain, Shai ka theksuar se është “jashtëzakonisht i pasur me polifenole, proteina bimore, vitaminë B12, hekur dhe acide yndyrore omega-3, që ndihmojnë ekuilibrin e mikrobiomës së zorrëve dhe metabolizmin”.

Si ta mbajmë trurin e shëndetshëm me kalimin e moshës?

Sipas doktorit David Cutler nga Providence Saint John’s Health Center në Kaliforni, ushqyerja është vetëm një pjesë e ekuacionit.

“Përveç një diete të shëndetshme, është e rëndësishme të mbahen nën kontroll tensioni, diabeti, kolesteroli dhe pesha. Aktiviteti fizik i rregullt është po ashtu i rëndësishëm për mbrojtjen e trurit”, ka thënë ai.

Doktori këshillon gjithashtu të shmanget alkooli dhe drogat dhe të ruhet jeta shoqërore aktive.

“Të gjitha këto nuk janë të dobishme vetëm për trurin, por për shëndetin e përgjithshëm”, ka thënë Cutler.